info@azhbr.gov.al
Tel: +355 42228318
E hënë – E premte

Takimi i 13-të i Komitetit të Monitorimit për IPARD II

 

Takimi i 13-të i Komitetit të Monitorimit për IPARD II

Në ambjentet e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, me datë 16 tetor 2024, u mbajt takimi i 13-të i Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD II 2014 – 2020, strukturë e cila mbikqyr zbatimin e këtij programi. Takimet e Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD II, në zbatim të Marrëveshjes Kuadër, organizohen të paktën dy herë në vit dhe kryesohet nga Ministri, në cilësinë e kryetarit të këtij Komiteti.

Komiteti i Monitorimit monitoron efektivitetin dhe cilësinë e zbatimit të programit IPARD, duke shqyrtuar periodikisht progresin e bërë në arritjen e objektivave të përcaktuar në këtë program.
Në takim ishin të pranishëm anëtarët e Komitetit të Monitorimit të Programit IPARD II, që ka në përbërje përfaqësues të shoqatave dhe grupeve të interesit që veprojnë në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ministrive të tjera të linjës, si anëtarë me të drejtë vote. Gjithashtu, në takim ishin të pranishëm përfaqësues të gjitha strukturave IPARD, përfaqësues të Komisionit Evropian dhe Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri.

Programi IPARD synon mbështetjen e sektorit bujqësor dhe zhvillimin rural, duke nxitur zhvillimin ekonomik në zonat rurale, përmirësimin e cilësisë së jetesës, dhe të përgatisë sektorët bujqësorë për tregun konkurrues të BE-së.

Në takim të gjithë të pranishmit u informuan në lidhje me:

  • Implementimin e programit IPARD II dhe IPARD III në rajon;
  • Zbatimin e programit IPARD II përmes 4 thirrjeve për aplikime;
  • Sistemin e menaxhimit dhe kontrollit të IPARD;
  • Aktivitetet e organizuara në lidhje me komunikimin dhe vizibilitetin, takimet dhe ditët informuese me fermerët etj.;
  • Ecuria dhe progresi i aktiviteteve të vlerësimit të këtij programi; etj.

Në këtë takim u prezantuan edhe materialet informuese, për takimet e realizuara me fermerët, agro-bizneset etj., të cilat gjenden edhe në faqet respektive të MBZHR dhe AZHBR.

Nga zbatimi i Programit IPARD II janë mbështetur investime në mekanikë bujqësore dhe shtim sipërfaqesh të mbjella; investime në subjekte agro-turistike; investime në serra; pika grumbullimi; investime në kantina dhe vreshta; fabrika përpunimi agro-ushqimore; përafrimin gradual me standardet, politikat dhe praktikat e BE-së, etj.

Programi ka ofruar mbështetje për sipërmarrësit e rinj (nën 40 vjeç) dhe sipërmarrëset gra, duke krijuar mjedisin mundësues për rritjen dhe fuqizimin e të rinjve dhe grave të angazhuar në sektorin bujqësor.

Gjithashtu, programi IPARD II ka impaktuar direkt në nxitjen e punësimit duke krijuar vendeve të reja të pune të lidhura me diversifikimin e aktiviteteve bujqësore dhe jo bujqësore në fermë dhe jashtë saj.

Në përfundim të takimit të gjitha strukturat e pranishme të IPARD morën angazhimin maksimal për t’i dhënë zgjidhje dhe adresuar me hapa konkrete problematikat dhe nevojat e identifikuara gjatë zbatimit të këtij programi.

Leave Your Reply

Your email address will not be published.

*