Masa 4: MBËSHTETJE PËR FARA/FIDANË DHE IMPUTE TË TJERA
Mbështetje për fara/fidanë dhe impute të tjera në vlerën deri në 200 000 (dyqind mijë) lekë për ha për sezon dhe jo për më shumë se 2 sezone, për kultivimin e perimeve, rrushit për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike për fermerë individual ose grup fermerësh, me sipërfaqe të mbjellë jo më pak se 1 (një) ha dhe jo më shumë se 1 500 000 (një milion e pesëqind mijë) lekë për aplikant.

i. Kriteret specifike për masën
Përfitues të mundshëm: Fermerë individual, grup fermerësh, SHBB, person fizik ose juridik.
a. Aplikanti duhet të ketë NIPT aktiv. Në rastin e aplikimit si grup fermerësh, aplikimi quhet i vlefshëm vetëm nëse të gjithë anëtarët e grupit kanë NIPT në status aktiv;
b. Aplikantë të kësaj mase janë fermerë që kultivojnë perime, rrush për tavolinë në serra dhe/ose luleshtrydhe në tunele plastike;
c. Në rastin e aplikimit si grup fermerësh duhet të kenë marrëveshje dakordësie, e cila ngarkohet në sistem. Sipërfaqja e mbjellë/që mbillet të jetë jo më pak se një ha; lloji (specia) i mbjellë me kultura perimore të jenë të njëjtë, për të paktën një sezon. Në marrëveshje përcaktohet sipërfaqja totale e mbjellë/që do mbillet për çdo anëtar dhe si grup, në çdo sezon si dhe përfaqësuesi i grupit/subjektit që bën aplikimin.
d. Aplikanti të ketë planvendosjen e serrës/serrave dhe/ose tuneleve me të dhënat kryesore;
e. Toka të jetë në pronësi të aplikantit dhe/ose me qira jo më pak se një vit, përfshirë edhe vitin e aplikimit.
f. Të ketë faturë për blerjen e materialit mbjellës të kulturave perimore. Faturat e blerjes së fidanëve duhet të përputhen me periudhën e realizimit të mbjelljeve.
g. Për rrushin e tavolinës dhe luleshtrydhen të ketë faturë për blerjen e plehrave ose pesticideve.
ii. Dokumentacioni që dorëzohet nga aplikanti, pas përfshirjes në Listën e të kualifikuarve
a. Planvendosja e serrës/tunelit plastik për sipërfaqen e mbjellë, sipas Aneksit 2;
b. Dokumentacioni i pronësisë së tokës apo marrjes me qira.
Pronësia mbi tokën bujqësore, vërtetohet me një nga dokumentet e mëposhtme:
₋ Certifikatë pronësie, e shoqëruar me hartën treguese dhe kartelën e pasurisë së paluajtshme;
₋ Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), sipas legjislacionit për ndarjen e tokës bujqësore, bashkëlidhur me fragmentin e hartës kadastrale, të vërtetuar nga DAMT ose Njësia Administrative ku ndodhet ngastra.
Në të dy rastet, kur aplikuesi është një nga anëtarët e familjes bujqësore dhe pronësia i takon familjes bujqësore, është e nevojshme dakordësia e bashkëpronarëve të familjes bujqësore.
Kur aplikuesi merr tokë me qira:
₋ Kontratë qiraje me akt noterial ose një dokument të ligjshëm të nënshkruar mes palëve. Afati i qiradhënies të jetë jo më pak se një vit, përfshirë edhe vitin e aplikimit;
c. Marrëveshja e dakordësisë/bashkimit të anëtarëve të grup fermerëve, e nëshkruar sipas marrëveshjes tip në Aneksin 3.
Aplikanti brenda vijës së financimit në listën e të kualifikuarve dorëzon dokumentacionin e specifikuar brenda 15 ditë kalendarike pas publikimit të kësaj liste.
iii. Dokumentacioni i dorëzuar në momentin e verifikimit në terren
a. Për kulturat perimore, faturë për blerjen e materialit mbjellës:
-Për farat dhe fidanët e prodhuar në vend:
● Faturë tatimore e fiskalizuar e blerjes së farave/fidanëve, lëshuar nga subjekti tregtues, ku specifikohet lloji (specia) dhe sasia e farave/fidanëve të blerë, si dhe seria e fidanëve të tregtuar sipas certifikatës;
● Një fotokopje të certifikatës zyrtare për materialin mbjellës (lëshuar nga ESHFF), nga subjekti i certifikuar me nënshkrim e vulë të njomë të subjektit tregtues.
-Për materialin mbjellës të importuar (farat dhe fidanët):
● Faturën tatimore/e fiskalizuar e blerjes, lëshuar nga subjekti tregtues ose aktin e zhdoganimit, ku specifikohet lloji (specia) dhe sasia e materialit mbjellës të blerë;
● Fotokopje të certifikatës së origjinës/certifikatës fitosanitare, të vërtetuar me origjinalen me nënshkrimin dhe vulën e njomë të subjektit tregtues;
Kur fidani është prodhuar nga vetë fermeri aplikant, plotësohet deklarata përkatëse.
Në rastin e aplikimit si grup fermerësh, fatura e materialit mbjellës për kulturat perimore të provojë blerjen e të njëjtit lloj.
b. Për rrushin e tavolinës dhe luleshtrydhen, faturë për blerjen e plehrave ose pesticdeve.
c. Vërtetim nga AKVMB për plotësimin e regjistrit të përdorimit të Produkteve për Mbrojtjen e Bimëve (PMB-ve).
d. Fotokopje ose vërtetim të dokumentit të bankës për numrin e llogarisë aktive të aplikantit. Në rastin e grup fermerëve dorëzohet dokumenti për çdo fermer.
Ky dokument mund të dorëzohet që në momentin e aplikimit dhe bëhet pjesë e dosjes së aplikantit.
Në rastet kur dokumentet e mësipërme aplikanti nuk i disponon në momentin e verifikimit, mund t’i dorëzojë pranë Agropikës më të afërt, zyrës qendrore të AZHBR-së fizikisht ose me postë. Këto dokumente skanohen dhe ngarkohen në sistem.
Nuk kërkohen dokumenta shtesë për të dhënat e gjeneruara nga portali e-Albania dhe të konfirmuara në formularin online.
• Aplikimet on-line bëhen nga vetë aplikanti përmes portalit e-Albania.