info@azhbr.gov.al
Tel: +355 42228318
E hënë – E premte

Fermeri që ia përkushtoi jetën bletëve: Prodhoj më së shumti mjaltë gështenje

T’ía përkushtosh jetën bletëve. Kjo është historia e Bislim Zenelajt nga fshati Markaj i Tropojës, i cili prej më shumë se 30 vitesh merret me këtë aktivitet që fillimisht e nisi si pasion, por tashmë e ka biznes. “Nëse nuk i shoh të paktën një orë në ditë, kam diçka mangët në jetën time”, thotë Bislmi.

Bletërritësi rreth 80% të mjaltit e ka nga gështenja dhe pjesën tjetër e ka mjaltë shumëlulesh. Mjalti i gështenjës është mjaft i kërkuar nga konsumatori, për shkak të vetive të tija kurative dhe deri në muajin korrik shitet i tëri.

Gjatë inspektimit të parkut të bletëve në pronësi të Bislimit, drejtorja e AZHBR-së, Frida Krifca e orientoi fermerin që përveç financimit që ai merr për çdo koshere nëpërmjet Skemës Kombëtare, mund të aplikojë edhe për një linjë përpunimi apo paketimi për mjaltin. “Linjën e paketimit është mirë që ta kem se më duhet shumë”, tha Bislimi.

“Me minimumin e investimit prej 10 mijë eurosh, pra nëse ti ke 10 mijë euro për të investuar, në këtë ide apo në këtë linjë, mund të marrësh mbështetje nga AZHBR, tek masa nr 7, i programit IPARD deri në 65% financim, grant. Në thirrjen e radhës të programit IPARD, që ne do ta hapim në vjeshtë, ti mund të aplikosh me anë të një biznes-plani. Bëj një formular aplikimi që duhet ta plotësosh dhe kërko ndihmë në AZHBR”, e informoi Krifca bletërritësin.

Bislim Zenelaj është financuar nga AZHBR, me anë të Skemës Kombëtare, në vitin 2018-2019, në shumën 216,000 lekëve të reja.  Për vitin 2020 ka aplikuar për 150 koshere bletë dhe këto financime ndikojnë për të fuqizuar e specializuar aktivitetin e tij të prodhimit e të tregtisë së mjaltit.

Fshati Markaj ka një masiv të madh gështenjash, duke i siguruar zonës mjaft të ardhura financiare. Bëhet fjalë për një sipërfaqe prej 2400 ha dhe gjatë sezonit vijnë rreth 7000 koshere nga disa zona. Në rrethon e Tropojës kanë aplikuar për mbështetje financiare rreth 80 mbarështues bletësh.