Drejtoresha e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), znj. Ardita Kuçi, mori pjesë në konferencën prestigjioze të Panta Rhei, në Leiden, Holandë. Kjo konferencë përfaqëson një forum kyç për agjencitë paguese të Bashkimit Evropian, ku ekspertë dhe drejtues nga vendet anëtare ndajnë praktikat më të mira, inovacionet teknologjike dhe sfidat e përbashkëta në menaxhimin e politikave bujqësore.
Gjatë konferencës, Drejtoresha e AZHBR mbajti një prezantim ku ndau përvojat e Shqipërisë në përdorimin e inteligjencës artificiale në shërbimet dixhitale, si dhe teknologjitë për menaxhimin e skemave bujqësore.
Në fokus të veçantë ishte prezantimi i platformës kombëtare e-Albania dhe asistentit dixhital, si shembuj të suksesshëm që e pozicionojnë Shqipërinë si një shembull inovator në përdorimin e inteligjencës artificiale për modernizimin e shërbimeve publike, në funksion të përshpejtimit të integrimit evropian.
Konferenca trajtoi tema kyçe si siguria e informacionit, përdorimi i dronëve në kontrollin e subvencioneve për sektorin e bujqësisë dhe inovacionet në sistemet e administrimit të parcelave tokësore.
Pjesëmarrja e AZHBR-së në këtë konferencë thekson angazhimin për të integruar praktikat më të avancuara evropiane, duke nxitur digjitalizimin dhe përmirësuar efektivitetin e mbështetjes ndaj sektorit bujqësor në Shqipëri.
