Kur fëmijët kthehen në atdhe. Kjo do të ishte parafraza që do të përcaktonte më së miri punën dhe frytet e arritura sot në fermën e Bashkim Kazazit. Fermeri nga Kavaja me dëshirën dhe vullnetin për punën në bujqësi, ka ndjekur këshillën e djemve, që jetonin në Itali për të investuar në kultivimin e vreshtave në tokën e tij. Si mësues matematike prej vitesh, Bashkimi tregon për modelin e tij të suksesit që ka nisur me bazë shkencore: janë bërë analizat e tokës për të përcaktuar varietetin e rrushit që do te mbillet, si dhe çdo gjë tjetër e parashikuar me shifra konkrete.
“Morëm tokë, e çuam në Itali, bëmë analizat dhe përcaktuam varietetet që mund të prodhojë kjo sipërfaqe toke. Kjo na ka ndihmuar shumë se me këtë bazë ne kemi pasur rezultate shumë të mira”.
Sot, ai numëron plot 13 vite në këtë punë duke kultivuar rrushin e tavolinës në një sipërfaqe prej 2.5 ha.
“Te rrushi i tavolinës kam 2500 hardhi, marr nga 15-20 kg për hardhi dhe çmimi vërtitet rreth 100 lekë”.
Me mbështetjen nga AZHBR, Bashkimi ka përmirësuar vazhdimisht punën dhe së fundmi është duke ngritur plastmasin për vreshtin e tij.
“Jemi shpërblyer tre herë, një herë për mbjellje, një herë me faturën tatimore dhe tani me subvencionim plastmasi”. Bashkimi ka edhe një thirrje për të rinjtë.
“Të kthehen nga emigrimi. Djersën dhe mundin ta shfrytëzojnë këtu në tokën e tyre, pranë familjes së tyre, pranë të afërmëve. Nuk ka të ardhme ekonomike pa prodhim vendi”.