info@azhbr.gov.al
Tel: +355 42228318
E hënë – E premte

Masa 8: MBËSHTETJE ME NAFTË PËR KRYERJEN E PUNIMEVE TË MEKANIZUARA NË BUJQËSI

Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.

  • Nuk kërkohen dokumenta shtesë për të dhënat e gjeneruara nga portali e-Albania dhe të konfirmuara në formularin online.
  • Aplikimet on-line bëhen nga vetë aplikanti përmes portalit e-Albania.

1.1. KRITERET DHE NORMATIVAT E PËRFITIMIT

  1. Masa e mbështetjes për naftën për bujqësinë mbulon kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, sipas përcaktimeve në Aneksin 6, bashkëlidhur këtij udhëzimi.
  2. Subjekte përfituese nga skema mbështetëse për naftën për bujqësinë janë ato subjekte, të cilat për aktivitetin e tyre bujqësor kryejnë punime të mekanizuara në kulturat bujqësore.
  1. Aplikanti duhet të ketë NIPT aktiv. Në rastin e aplikimit si grup fermerësh, aplikimi quhet i vlefshëm vetëm nëse të gjithë anëtarët e grupit kanë NIPT me status aktiv.
  1. Çdo subjekt përfitues, duhet të provojë se ka tokë bujqësore në pronësi apo përdorim, sipas përcaktimeve dhe dokumentacionit të kërkuar në këtë udhëzim.
  2. Aplikanti vetëdeklaron kulturat bujqësore të mbjella ose që parashikon të mbjellë, sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit on line. Çdo parcelë, sipas dokumentacionit të pronësisë apo përdorimit,  plotësohet me kulturën/kulturat përkatëse të mbjellë ose që parashikohen të mbillen.
  3. Çdo subjekt përfitues duhet të ngarkojë në sistem në momentin e aplikimit ose të dorëzojë pranë zyrave të AREB-eve, ose në Agropikën më të afërt ose në zyrat qendrore të AZHBR-së fizikisht ose me postë, ose nëpërmjet sistemit e-Albania deri para pagesës apo para kontrollit (për subjeket që mund të kontrollohen para pagesës):
    • faturë blerje për një nga imputet si material mbjellës (farëra ose fidanë)/ plehra kimike/pesticide, ose
    • faturë për shitjen e prodhimit.
  1. Për të gjitha llojet e subjekteve përfituese (fermer individual/grup fermerësh), madhësia minimale e sipërfaqes së deklaruar për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, duhet të jetë jo më pak se 1 (një)  ha, e përbërë nga parcela/ngastra me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha.
  2. Në rastin e aplikimit si grup fermerësh duhet të kenë marrëveshje dakordësie, e cila ngarkohet në sistem. Në marrëveshje përcaktohet:
  • Sipërfaqja totale dhe e mbjellë/që do mbillet për çdo anëtar dhe si grup, si dhe përfaqësuesi i grupit/subjektit që bën aplikimin;
  • Sipërfaqja e tokës për të cilën aplikohet të jetë e mbjellë/të mbillet me të njëjtën kulturë bujqësore, është kusht përfitimi për grupin.
  1. Marrëveshja tip e dakordësisë/bashkimit të anëtarëve të grup fermerëve jepet në Aneksin 2 (M 8).

Përfaqësuesi i grupit që bën aplikimin, lajmërohet nëpërmjet Sistemit të Menaxhimit të Informacionit për statusin e aplikimit për të gjithë anëtarët e grupit.

  1. Normativat e konsumit të naftës për punimet e mekanizuara dhe vlera në lekë që përfitohet nga çdo subjekt përfitues, sipas kulturave bujqësore/grup-kulturave, paraqiten në Aneksin 7, bashkëlidhur këtij udhëzimi.
  2. Përfitimi në vlerë, për sipërfaqen që kultivohet është, si më poshtë vijon:
  1. deri në 100% të vlerës, për fermerët/aplikantët me sipërfaqe deri në 10 ha, sipas përllogaritjeve të bëra, referuar Aneksit 7, bashkëlidhur këtij udhëzimi;
  2. Për sipërfaqen mbi 10 (dhjetë) ha, masa e përfitimit zvogëlohet me 50%, përjashtuar rastet e aplikantëve me status “Grup fermerësh” ose “SHBB”, të cilët përfitojnë 100% të vlerës.
  1. Përcaktimi i sasisë së naftës për të përllogaritur vlerën në lekë, që përfiton aplikanti është i lidhur me sipërfaqen e kultivuar dhe llojin e kulturës bujqësore sipas vetëdeklarimit. Në rast se këto sipërfaqe nuk janë të kultivuara apo nuk kultivohen sipas vetëdeklarimit, subjekti përfitues duhet të kthejë mbrapsht vlerën përkatëse, në të kundërt, përbën element penalizues në momentin e verifikimit.

APLIKIMI PËR MBËSHTEJE PËR NAFTËN PËR BUJQËSINË

  1. Çdo subjekt që plotëson kriteret e përcaktuara në këtë udhëzim, duhet të bëjë aplikimin online, duke plotësuar të dhënat nëpërmjet vetëdeklarimit dhe duke ngarkuar në sistem dokumentacionin e kërkuar.
  2. Formulari i aplikimit online nëpërmjet e-Albania plotësohet nga aplikanti mbi bazë vetëdeklarimi, në lidhje me:

i. parcelat që kultivohen gjatë vitit (mbjelljet e para);

ii. kulturat e mbjella apo që do të mbillen në ato parcela gjatë vitit (mbjelljet e para).

3. Deklarimi i mbjelljeve nga aplikanti bëhet si vijon:
Fermeri do të deklarojë sipërfaqet e mbjelljeve të para të kulturave bujqësore, që përfshin mbjelljet në periudhën e vjeshtës dhe të pranverës (1 tetor 2024 deri më 31 maj 2025). Sipërfaqja e deklaruar përfshin vetëm mbjelljet e para dhe llogaritet e kultivuar vetëm një herë.
Deklarimi i mbjelljeve nga aplikanti, bëhet si vijon:
a) Për perimet e serrës, fermeri do të deklarojë sipërfaqet që ka të mbjella me perime serre në momentin e aplikimit dhe/ose sipërfaqet që do të mbjellë deri më 31 maj 2025.
b) Për drufrutorët, fermeri do të deklarojë sipërfaqen ekzistuese të mbjellë me këto bimë në momentin e kryerjes së aplikimit, si dhe sipërfaqet që do të mbillen deri më 31 maj, 2025, me kusht që sipërfaqet e reja të mos jenë zëvendësime të sipërfaqeve të deklaruara të mbjella me të njëjtat bimë ose me bimë të tjera.
c) Për kulturat në fushë të hapur, për bimët njëvjeçare të arave dhe perimet e fushës, fermeri do të deklarojë sipërfaqet: (i.) me bimët e arave të mbjella në vjeshtën 2024 (fakt në momentin e aplikimit) dhe/ose që do të mbillen deri më 31 maj 2025; (ii.) me perimet e fushës që ka mbjellë (fakt në momentin e aplikimit) ose që do të mbjellë deri në 31 maj 2025. Në rastin e bimëve bashkëshoqëruese, sipërfaqja do të deklarohet vetëm një herë, vetëm për bimën kryesore. Për bimët foragjere shumëvjeçare dhe bimët aromatike-mjekësore, fermeri do të deklarojë sipërfaqen e mbjellë me këto bimë në momentin e kryerjes së deklarimit, si dhe sipërfaqet që do të mbillen deri 31 maj 2025, me kushtet e përcaktuara në pikën “b” për drufrutorët.
Kulturat bujqësore/grup-kulturat që mbështeten nga skema e naftës për bujqësinë përcaktohen në Aneksin 6.

4. Gjatë aplikimit online, çdo dokument i kërkuar, sipas këtij udhëzimi, do të skanohet dhe ngarkohet në mënyrë elektronike nga aplikuesi, me përjashtim të dokumentit/dokumenteve që ofrohen automatikisht nga portali e-Albania).
5. Dokumentacioni i kërkuar për t’u ngarkuar online, sipas këtij udhëzimi, duhet të jetë në origjinal ose i noterizuar, si dhe të jetë në gjuhën shqipe ose në rast se është në gjuhë të huaj, të jetë i përkthyer nga një përkthyes i autorizuar dhe i vërtetuar nga noteri.

6. Dokumentacioni i pronësisë së tokës (certifikata) i ngarkuar në sistem do të konsiderohet i vlefshëm nëse gjatë kontrollit administrativ konfirmohet nga ASHK-ja.
Në rastin kur në sistem ngarkohet AMPT do të konsiderohet e vlefshme nëse gjatë kontrollit administrativ konfirmohet nga ASHK-ja ose njësitë e vetëqeverisjes vendore (NJVV). Të vlefshme konsiderohen edhe konfirmimet për dokumentacionin te pronësisë (certifikatë ose AMTP), të bëra në aplikimet për naftën për bujqësinë në vitin 2022, 2023 dhe/ose 2024.
7. Dokumentacioni që duhet të ngarkohet në sistem është në varësi të statusit të pronësisë apo përdorimit të tokës bujqësore për të cilën aplikohet dhe statusit të regjistrimit të saj në ASHK.

8. Kontratat e vlefshme të qiramarrjes, të cilat duhet të përfshijnë edhe vitin 2025, të lidhura me ish-drejtoritë e bujqësisë, MBZHR-ja ose komunat/bashkitë, kanë të njëjtën vlerë me ato të bëra pranë noterit publik.

9. Kur gjatë kontrollit administrativ të dokumentacionit, sipërfaqet e parcelave sipas AMTP-së rezultojnë me diferenca me ato sipas ASHK/NJVV, merren në konsideratë të dhënat e ASHK/ NJVV.

10. Marrëveshje dakordësie kërkohet edhe në rastet kur aplikanti është njëri prej bashkëpronarëve sipas AMTP/certifikatës së pronësisë së tokës bujqësore. Modeli tip i marrëveshjes së dakordësisë jepet në Aneksin 8, bashkëlidhur këtij udhëzimi.
11. Kur certifikata e pronësisë së tokës bujqësore është në pronësi të personit/ve të ndryshëm nga aplikanti, kërkohet kontratë qiraje/huapërdorjeje, pavarësisht se aplikanti mund të jetë anëtar i të njëjtës familje, por nuk është një prej bashkëpronarëve në dokumentin e pronësisë.

12. Nëse akti i marrjes së tokës në pronësi (AMTP), i ngarkuar në sistem nga aplikuesi, nuk konfirmohet nga ASHK, AZHBR-ja kërkon konfirmim zyrtar të këtij dokumenti me sipërfaqen totale dhe sipërfaqen e parcelave nga njësia administrative/bashkia përkatëse. Përgjigjia pozitive/negative ngarkohet në sistem.
13. Do të konsiderohen të vlefshme edhe kontratat e qiramarrjes/huapërdorjes/dokument të ligjshëm të firmosur nga palët. Në rast se kontrata ose dokumenti janë të panoterizuara duhet të jetë i konfirmuar nga njësia administrative dhe të përfshijë dokument identifikimi të palëve. Ato përmbajnë sipërfaqen totale dhe të parcelave të tokës bujqësore objekt qiramarrjeje/ huapërdorje, si dhe vendndodhjen e secilës parcelë. Kontrata/dokumenti përfshin edhe të drejtën e përdorimit të tokës për vitin 2025.
Gjithashtu, të vlefshme do të konsiderohen edhe rastet kur dokumentat e sipërcituar nëshkruhen nga njëri prej anëtarëve të familjes bujqësore në gjendjen aktuale (shoqëruar me dokumentat përkatës të pronësisë).
14. Procedura e aplikimit nëpërmjet portalit e-Albania përfundon me dërgimin e suksesshëm të formatit elektronik të formularit të aplikimit në sistem dhe aplikuesi njoftohet me mesazh elektronik.
Aplikimi elektronik programohet në mënyrë që të mos lejojë vazhdimin e plotësimit të aplikimit, nëse nuk përmbushen kriteret bazë të kualifikimit në lidhje me madhësinë e sipërfaqes totale të deklaruar, madhësinë e parcelave, kulturat e mbjella dhe tipin e dokumentacionit në lidhje me tokën bujqësore.
15. Të gjitha aplikimet e kryera nëpërmjet e-Albania, i nënshtrohen procesit të kontrollit administrativ, që shqyrton përputhjet e vetëdeklarimeve, në lidhje me parcelat, sipërfaqet, kulturat dhe dokumentacionin që i mbështet këto deklarime.
16. Pas kontrollit administrativ, aplikanti njoftohet mbi rezultatin e aplikimit (i kualifikuar/i skualifikuar).
17. Të dhënat elektronike të dërguara gjatë aplikimit administrohen nga AZHBR-ja, sipas legjislacionit në fuqi.
18. Informacion i nevojshëm për mënyrën e aplikimit, kriteret e përfitimit dhe të procedimit deri në përfitimin e vlerës përkatëse të mbështetjes për naftën për bujqësinë, do të ofrohet pranë AREB-ve, pranë Agropikave si dhe në faqet zyrtare të internetit të AZHBR-së.

APLIKIMET PRANOHEN NGA DATA 14.04.2025 DERI MË 30.05.2025