info@azhbr.gov.al
Tel: +355 42228318
E hënë – E premte

Masa 6: Implementimi dhe certifikimi Global GAP

Implementimi dhe certifikimi Global GAP, përfshirë mbulimin e kostove të analizave të produkteve, në perime, fruta, rrush, ullinj, agrume dhe kultura të tjera bujqësore të certifikueshme, në masën 50 (pesëdhjetë) % të vlerës totale të faturës tatimore:

i. por jo më shumë se 175 000 (njëqind e shtatëdhjetë e pesë mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha për certifikim individual;

ii. por jo më shumë se 500 000 (pesëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 3 (tre) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 10 (dhjetë) ha në fushë të hapur, për certifikim në grup me minimum 10 (dhjetë) fermerë të përfshirë;

iii. por jo më shumë se 700 000 (shtatëqind mijë) lekë, për sipërfaqe jo më pak se 15 (pesëmbëdhjetë) ha në ambiente të mbrojtura dhe jo më pak se 30 (tridhjetë) ha në fushë të hapur, për certifikim në grup me minimum 20 (njëzet) fermerë të përfshirë.

1.1. Kriteret specifike për masën

Përfitues të mundshëm: Fermerë individual, SHBB, person fizik ose juridik.

  1. Aplikanti mund të jetë prodhues dhe/ose subjekt grumbullues/eksportues i produkteve bujqësore.
  2. Aplikanti për certifikim individual mund të përfitojë një certifikatë, e cila mund të përmbajë më shumë se një produkt, në sipërfaqe jo më pak se 1 (një) ha për një ose më shumë kultura të mbjella.
  3. Aplikanti për certifikim në grup mund të përfitojë një certifikatë, e cila mund të përmbajë më shumë se një fermer prodhues në vendndodhje të ndryshme si dhe produkte të ndryshme.
  4. Në rastin e aplikimit për certifikim në grup duhet të ketë marrëveshje dakordësie të aplikantit dhe prodhuesve, e cila përmban sipërfaqen e mbjellë, vendndodhjen e fermës të secilit prej tyre si dhe dokumentet e pronësisë apo të marrjes me qira për tokën bujqësore.
  5. Aplikanti duhet të jetë në procedurë certifikimi me një trupë certifikimi (shqiptare ose e huaj) të akredituar dhe aprovuar nga Global GAP.
  6. Aplikanti të ndjekë procedurën e miratuar deri në marrjen e certifikatës Global GAP.
  7. Certifikata të ketë elementë të verifikueshëm on-line, për operatorin, trupën e certifikimit dhe organizmin akreditues në faqen zyrtare të Global GAP.

1.2. Dokumentacioni që dorëzohet nga aplikanti, pas përfshirjes në Listën e të kualifikuarve

  1. Kontrata e lidhur nga aplikanti me trupën e certifikimit të akredituar dhe aprovuar nga Global GAP.
  2. Marrëveshja e dakordësisë së anëtarëve të certifikimit në grup (prodhuesve) me aplikantin. Dokumenti duhet të përmbajë sipërfaqen e secilit anëtar të grupit, vendndodhjen e fermës, si dhe dokumentet e pronësisë apo të marrjes me qira për tokën bujqësore për secilin prodhues.

Pronësia mbi tokën bujqësore, vërtetohet me një nga dokumentet e mëposhtme:

– Certifikatë pronësie, e shoqëruar me hartën treguese dhe kartelën e pasurisë së paluajtshme;

– Akti i marrjes së tokës në pronësi (AMTP), sipas legjislacionit për ndarjen e tokës bujqësore, bashkëlidhur me fragmentin e hartës kadastrale, të vërtetuar nga DAMT-ja ose njësia administrative ku ndodhet ngastra.

Në të dy rastet, kur aplikuesi është një nga anëtarët e familjes bujqësore dhe pronësia i takon familjes bujqësore, është e nevojshme dakordësia e bashkëpronarëve të familjes bujqësore.

Kur aplikuesi merr tokë me qira:

–  kontratë qiraje me akt noterial ose një dokument të ligjshëm të nënshkruar mes palëve.

Afati i qiradhënies të jetë jo më pak se një vit duke përfshirë edhe vitin e aplikimit.

3. Fotokopje ose vërtetim të dokumentit të bankës për numrin e llogarisë aktive të aplikantit.

Aplikanti të dorëzojë dokumentacionin e specifikuar në listën e të kualifikuarve brenda 20 ditë kalendarike pas publikimit të kësaj liste.

1.3. Dokumentacioni i dorëzuar në momentin e verifikimit

  1. Certifikatë fotokopje e noterizuar dhe në gjuhën shqipe, që vërteton llojin e prodhimit të certifikuar si Global GAP, të lëshuar nga trupa e certifikimit e akredituar dhe aprovuar nga Global GAP.
  2. Faturë tatimore për kostot e procesit të implementimit (kostot e konsulencës për implementimin Global GAP).
  3. Faturë tatimore për koston e procesit të certifikimit (tarifat e Trupës Certifikuese, tarifat e Global GAP dhe të analizave të produkteve, tokës dhe ujit për ujitje).
  4. Transfertën e bankës/SWIFT për faturat e mësipërme nga subjekti që është certifikuar.
  5. Fotokopje ose vërtetim të dokumentit të bankës për numrin e llogarisë aktive të aplikantit, nëse nuk është dorëzuar më parë.

Në rastet kur dokumentet e mësipërme aplikanti nuk i disponon në momentin e verifikimit, mund t’i dorëzojë pranë Agropikës më të afërt ose zyrës qendrore të AZHBR-së fizikisht ose me postë ose nëpërmjet e-Albania. Këto dokumente skanohen dhe ngarkohen në sistem.

Nuk kërkohen dokumenta shtesë për të dhënat e gjeneruara nga portali e-Albania dhe të konfirmuara në formularin online.
• Aplikimet on-line bëhen nga vetë aplikanti përmes portalit e-Albania.

APLIKIMET PRANOHEN NGA DATA 27.03.2024 DERI MË 19.04.2024

Leave Your Reply

Your email address will not be published.

*