Masa 12: MBËSHTETJE ME NAFTË PËR KRYERJEN E PUNIMEVE TË MEKANIZUARA NË BUJQËSI
Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.
- Subjektet përfituese të skemës mbështetëse të naftës për bujqësinë janë ato subjekte, të cilët për aktivitetin e tyre bujqësor kryejnë punime të mekanizuara në kulturat bujqësore dhe plotësojnë përkatësisht kriteret si më poshtë:
- a) fermerët individualë duhet të jenë të pajisur me NIPT-in e fermerit me status aktiv;
- b) personat fizikë dhe juridikë të jenë të pajisur me NIPT/NUIS me status aktiv.
- Çdo subjekt përfitues, duhet të provojë se ka tokë bujqësore në pronësi apo përdorim, sipas përcaktimeve dhe dokumentacionit të kërkuar në kreun III të këtij udhëzimi.
- Aplikanti vetëdeklaron kulturat bujqësore të mbjella ose që parashikon të mbjellë, sipas përcaktimeve të formularit të aplikimit on line.
- Për të gjitha llojet e subjekteve përfituese, madhësia minimale e sipërfaqes së deklaruar për kryerjen e punimeve të mekanizuara në kulturat bujqësore, duhet të jetë jo më pak se 0.4 ha, e përbërë nga parcela/ngastra me sipërfaqe jo më pak se 0.1 ha.
Çdo subjekt që plotëson kriteret e përcaktuara në këtë udhëzim, duhet të bëjë aplikimin online, duke plotësuar të dhënat nëpërmjet vetëdeklarimit dhe duke ngarkuar në sistem dokumentacionin e kërkuar. Të gjithë aplikantët, para aplikimit duhet të plotësojnë/përditësojnë Regjistrin e Fermës.
Periudha e aplikimit është nga data 25.2.2022 deri më 25.3.2022.
Aplikimi online është i mundshëm përgjatë 24-orëve, nga ora 08:00 e datës së hapjes deri në orën 24:00 të datës së përfundimit të periudhës së aplikimit.
Formulari i aplikimit online nëpërmjet e-Albania plotësohet nga aplikuesi mbi bazë vetëdeklarimi, në lidhje me:
- parcelat që kultivohen gjatë vitit;
- kulturat e mbjella apo që do të mbillen në ato parcela gjatë vitit.
Deklarimi i mbjelljeve nga aplikanti bëhet si vijon:
Fermeri do të deklarojë sipërfaqet e mbjella për vitin bujqësor (1 tetor 2021–30 shtator 2022).
Sezoni i parë përfshin mbjelljet e kulturave bujqësore në periudhën e vjeshtës dhe të pranverës (1 tetor 2021 deri më 31 maj 2022). Sezoni i dytë përfshin mbjelljet në periudhën 1 qershor deri më 30 shtator 2022.
Deklarimi i mbjelljeve nga aplikuesi, bëhet si vijon:
- Për perimet e serrës, fermeri do të deklarojë deri në 2 mbjellje në vit. Fermeri do të deklarojë si mbjellje të parë sipërfaqet që ka të mbjella me perime serre në momentin e aplikimit dhe/ose sipërfaqet që do të mbjellë deri më 31 maj 2022 dhe, si mbjellje të dytë, sipërfaqet që do të mbjellë me perime serre nga 1 qershori 2022 deri më 30 shtator 2022. Në këtë kuadër, ai do të deklarojë sipërfaqet e mbjella me perime vetëm për dy mbjellje, pa deklaruar llojin e bimës së mbjellë.
- Për drufrutorët, fermeri do të deklarojë sipërfaqen ekzistuese të mbjellë me këto bimë në momentin e kryerjes së deklarimit, si dhe sipërfaqet që do të mbillen deri më 30 shtator 2022, me kusht që sipërfaqet e reja të mos jenë zëvendësime të sipërfaqeve të deklaruara të mbjella me të njëjtat bimë ose me bimë të tjera. Sipërfaqja e deklaruar që është zënë me këto bimë do të llogaritet e kultivuar vetëm një herë.
- Për kulturat në fushë të hapur, për bimët njëvjeçare të arave dhe perimet e fushës, fermeri do të deklarojë sipërfaqet: (i.) me bimët e arave të mbjella në vjeshtën 2021 (fakt në momentin e aplikimit) dhe/ose që do të mbillen deri më 31 maj 2022; (ii.) me perimet e fushës që ka mbjellë (fakt në momentin e aplikimit) ose që do të mbjellë deri në 31 maj 2022. Për efekt të përfitimit të naftës për bimët e arave, fermeri do të deklarojë edhe sipërfaqet e mbjella ose që do mbillen me kultura të dyta dhe që e zënë tokën deri më 30 shtator të vitit 2022. Llogaritja e naftës për kulturat e dyta do të jetë sa 70% e sasisë që llogaritet për të njëjtat bimë si kultura të para. Në rastin e bimëve bashkëshoqëruese, sipërfaqja do të deklarohet vetëm një herë, vetëm për bimën kryesore. Në të gjitha rastet, sipërfaqja e parcelës me bimë arash nuk mund të deklarohet e kultivuar më shumë se dy herë. Për bimët foragjere shumëvjeçare dhe bimët aromatike-mjekësore, fermeri do të deklarojë sipërfaqen e mbjellë me këto bimë në momentin e kryerjes së deklarimit, si dhe sipërfaqet që do të mbillen deri 30 shtator 2022, me kushtet e përcaktuara në pikën “b” për drufrutorët.
Sezonet e mbjelljeve, sipas kulturave bujqësore/grup-kulturave, përcaktohen në Aneksin 10.
Nuk kërkohen dokumenta shtesë për të dhënat e gjeneruara nga portali e-Albania dhe të konfirmuara në formularin online.
• Aplikimet on-line bëhen nga vetë aplikanti përmes portalit e-Albania.