GARANCIA SOVRANE DHE KREDIA E BUTË
Garancia Sovrane dhe Kredia e Butë janë dy instrumenta financiarë që synojnë të lehtësojnë aksesin në financë për fermerët dhe agrobizneset, duke kombinuar garancinë shtetërore me kredi me kushte të lehtësuara. Ky mekanizëm është ndërtuar është ndërtuar si rezultat i bashkëpunimi ndërinstitucional ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Financave, Bankës së Shqipërisë dhe Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, dhe bazohet mbi një analizë të kujdesshme të nevojave të tregut dhe kapaciteteve të sistemit financiar.
Instrumenti i Garancisë Sovrane, me një fond total prej 30 milionë eurosh, parashikon mbulimin deri në 70% të principalit të kredisë përmes një garancie shtetërore, duke reduktuar ndjeshëm rrezikun për bankat dhe duke mundësuar norma interesi më të favorshme për përfituesit, në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë.
Kredia e butë, me një fond të dedikuar prej 250 milionë eurosh, synon të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në bujqësi dhe agroturizëm. Shuma maksimale e kredisë së butë është deri në 25 milionë lekë, ndërsa norma e interesit varion nga 3.5%, me mundësi ulje deri në 2% në rastet e kombinuara me garancinë sovrane.
Ky instrument mbështet sektorët kryesorë që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin rural dhe bujqësor, duke përfshirë agroturizmin, i cili nxit ekonominë dhe mikpritjen në zonat rurale; prodhimin bujqësor, me fokus në mekanizim dhe sera moderne; blegtorinë, për përmirësimin e kushteve të mbarështimit; agropërpunimin, që rrit vlerën e produkteve bujqësore; dhe akuakulturën, një sektor me potencial të lartë në zonat ujore.
Aplikimet për këtë instrument do të zbatohen në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë.
Instrumenti përfaqëson një ndërhyrje me efekt të drejtpërdrejtë, sepse akses më i lehtë në financë përkthehet në më shumë investime, më shumë produkte shqiptare në treg, më shumë punësim në zonat rurale dhe më shumë qëndrueshmëri për fermerët dhe sipërmarrësit.
Garancia Sovrane dhe Kredia e Butë janë mjete konkrete për të forcuar bujqësinë shqiptare dhe për ta kthyer atë në një sektor modern dhe konkurrues.