Kur Altini nisi ndërtimin e serrave kishte vetëm 800 metër tokë. Por, sot falë punës së tij dhe palodhur së bashku me vëllezërit dhe mbështetjes nga AZHBR, ai ka 1 ha serra të mbjella me perime.
“Jemi angazhuar që në vitin 2000 me prodhimin e serave së bashku me vëllezrit dhe nga 800 metër që kishim në fillim, sot kemi 1 hektar”.
Altini tregon se prodhimi është goxha i frytshëm. Në sezon ai arrin të marrë 10 tonë domate për dynym, 10 ton kastraveca edhe 8 ton spec të kuq, një prodhim të cilin ai e dorëzon i sigurt në pikat e grumbullimit, prej ku nuk mungon kërkesa për eksport.
“Sasinë e produkteve që marr e dorëzoj në pikat e grumbulliit. Eksportohen në shtetet e Europës. Në të ardhmen po mendoj ta zgjeroj që të marr tokat me qira”
Altini është një nga përfituesit e skemës kombëtare të AZHBR dhe si një i ri me pasion në sektorin e bujqësisë, inkurajon të gjithë të rinjtë që të kthejnë sytë nga toka e tyre dhe jo nga emigrimi.
“Nga viti 2017 kam përfituar nga skema kombëtare e AZHBR, nga dorëzimi i prodhimeve dhe zëvendësimi i plastmasit. Unë e bëj këtë punë se kam pasion dhe marr edhe të ardhura. Ekonomia rritet dhe zhvillohet jo vetëm duke qenë emigrant. E inkurajoj moshën dhe brezin e ri që të angazhohen në bujqësi”