info@azhbr.gov.al

+355 42 228 318

08008383

Themelimi i AZHBR

1. Krijimi i Agjencise per Zhvillim Bujqesor dhe Rural

VKM nr. 1443, datë 30.12.2008, “Për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR)” Në zbatim të nenit 21 të Ligjit nr. 9817, datë 22.10.2007, “Për bujqësinë dhe zhvillimin rural”, me Vendimin nr. 1443, datë 30.12.2008, të Këshillit të Ministrave, u krijua Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), si Agjencia e Pagesave. AZHBR-ja u organizua me strukturë qendrore dhe struktura vendore në shkallë qarku.

2. Administrimi i fondeve

AZHBR-ja u ngarkua me administrimin e fondeve të programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural, konkretisht:
– Fondet e Buxhetit të Shtetit për mbështetjen e drejtpërdrejtë të prodhimit bujqësor;
– Fondet e Buxhetit të Shtetit për zhvillimin e infrastrukturës së tregjeve bujqësore;
– Fondet kundërparti të Projektit 2KR.
Kriteret e përgjithshme të përdorimit të fondeve kundërparti të Projektit 2KR u përcaktuan me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave.

3. Sistemet dhe teknologjia e informacionit

AZHBR-ja u ngarkua me hartimin dhe propozimin e projekteve, si dhe me marrjen e masave për krijimin dhe administrimin e databazave dhe të logjistikës së teknologjisë së informacionit (IT), të nevojshme për funksionimin e saj, sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

4. Fillimi i funksionimit

AZHBR-ja filloi funksionimin më 1 janar 2009.

5. Funksionimi dhe organizimi i brendshëm

Rregullat dhe procedurat e funksionimit të brendshëm të AZHBR-së, si dhe ndarja e detyrave, përgjegjësive dhe kompetencave ndërmjet saj, Drejtorive Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit (DRBUMK) dhe aktorëve të tjerë të sistemit të bujqësisë dhe ushqimit, u përcaktuan me udhëzim të veçantë të Ministrit të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.

6. Efektet financiare

Efektet financiare që rrjedhën nga zbatimi i këtij vendimi u përballuan nga Buxheti i Shtetit, i miratuar për Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.
Për zbatimin e vendimit u ngarkua Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit.