AZHBR nisi sot takimet informuese për procedurat e Ankimimit në lidhje me programit IPARD-II. Pjesëmarrësit në qarkun e Tiranës dhe Durrësit u njoftuan mbi etapat që duhen ndjekur për të apeluar në AZHBR vendimet e marra për projektet e refuzuara. Drejtoresha e AZHBR, Eranda Selmanaj, tha se rëndësia e këtyre takimeve është esenciale për të sqaruar aplikantët dhe fermerët e interesuar për thirrjet e ardhëshme dhe kriteret që duhen zbatuar me rigorozitet për të patur sa më pak keqkuptime dhe keqinterpretime në aplikime. Fondet e Bashkimit Evropian përmes programit IPARD-II, sollën në shqipëri një interes të ri për ngritjen e nivelit të prodhimit dhe cilësisë së produkteve vendase, duke angazhuar fermerët në zgjerimin dhe diversifikimin e biznesit në zonat rurale. Takimet do të vazhdojnë edhe në qarqet e tjera për të informuar dhe sqaruar të interesuarit për të drejtën e tyre të ankimimit, përmes një prezantimi të detajuar nga stafi i AZHBR, që përfshin të treja thirrjet dhe të gjitha masat e sektorët e investimeve.