Së bashku me Autoritetin Menaxhues të programit IPARD-II, stafi i AZHBR ishte sot në qarkun e Durrësit ku u zhvillua takimi informues i rradhës për Thirrjen e katërt IPARD, e cila do të jetë e hapur deri në 25 Shkurt 2022. Aplikantët potencial ishin të mjaftë në numër dhe interesi i tyre kryesor mbetet Turizmi Rural dhe i Natyrës, në një zonë të njohur për turizmin detar dhe atë kultural, si Durrësi. Grigor Gjeci, drejtori i Autoritetit Menaxhues të IPARD, u shpreh se Masa 7 për Diversifikimin e Fermave, rezultoi me mjaft interes dhe jashtë parashikimeve të tyre, duke qënë një mundësi mjaft e mirë biznesi në shqipëri. Kulinaria, tradita, akomodimi dhe prodhimet e dorës, janë pasuri që vlejnë të financohen dhe të përmbushin qëllimin e këtij programi i cili është krijuar në ndihmë të zonave rurale. Ardita Kuçi, përgjegjëse e sektorit juridik në AZHBR, theksoi nevojën e plotësimit të rregullt të dokumentacionit dhe respektimin e afateve të dorëzimit, sipas Udhëzuesit për Aplikantët, për të patur sa më shumë aplikime të kualifikueshme dhe në kohën e duhur. Takimet do të vazhdojnë përgjatë muajit Janar në çdo qark, për të informuar publikun dhe fermerët mbi procedurat dhe kriteret e thirrjes së katërt.