Takimi i 8-të i Komitetit Monitorues të Programit IPARD-II, u zhvillua sot në ambientet e Hotel Tirana, ku u diskutuan arritjet dhe vështirësitë e implementimit të fondeve IPARD në Shqipëri. Delegacioni nga Drejtoria e Përgjithëshme e Bujqësisë në Bashkimin Europian, ishte e përfaqësuar nga Drejtori i saj: Z. Frank Bollen, dhe Z. Razvan Ghitescu, menager i programit për Zhvillimin Rural në Delegacionin Europian në Shqipëri. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural: Frida Krifca, theksoi angazhimin e madh të autoriteteve dhe trupave që veprojnë në fushën e programit IPARD-II, duke vlerësuar punën e kujtdo që ka qenë pjesë e proceseve, nga formulimi i programit, shqyrtimit të dosjeve, kontrollit në terren dhe disbursimit të subjekteve përfitues, e deri tek vetë fermerët dhe agro-bizneset, duke përmendur rëndësinë e veçantë që ka injektimi i fondeve evropiane në bujqësinë shqiptare. Z. Frank Bollen, përmendi seriozitetin dhe shpejtësinë me të cilin është implementuar ky program në Shqipëri, duke e quajtur një sukses në nivel rajoni. Në këtë takim u fol gjithashtu për programin IPARD-III, që së shpejti do të implementohet nga AZHBR, dhe u premtua për hapjen e thirrjes së parë në fund të vitit 2022.