Në kuadër të procesit negociues të Shqipërisë për Klasterin 5: Burimet, Bujqësia dhe Kohezioni, me fokus në Kapitullin 11: Bujqësia dhe Zhvillimi Rural, Drejtoresha e Përgjithshme e AZHBR, znj. Ardita Kuçi, mirëpriti në takim Zv. Drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Pagesave të Kroacisë, z. Sasa Bukovac së bashku me ekspertë të kontraktuar nga GIZ.
Diskutimet u përqendruan në forcimin e kapaciteteve të AZHBR për zbatimin e kërkesave të Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP) dhe ngritjen e sistemit LPIS (Sistemi i Identifikimit të Parcelave të Tokës), si një hap drejt modernizimit të bujqësisë shqiptare dhe përafrimit me standardet evropiane.
Ky takim theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me homologët kroatë, si një shembull i suksesshëm i adaptimit të politikave evropiane, duke përfshirë gjithashtu angazhimin aktiv të stafit të AZHBR në këtë proces. Përvoja e shkëmbyer dhe diskutimet teknike do të shërbejnë për përmirësimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale në mbështetje të zhvillimit rural të qëndrueshëm.