Sheshi Skëndërbej u bë ndalesa e rradhës për karvanin Europian në “Javët e Evropës 2021”. Stenda e AZHBR ndër shumë qytetarë të interesuar, mirëpriti Ambasadorin e Bashkimit Europian në Shqipëri Luigi Soreca dhe miqtë Ambasadorë të disa vendeve Europiane të cilët u njohën me historitë dhe produktet e disa prodhuesve të fshatrave të Tiranës, të cilët janë mbështetur nga programi IPARD II, program i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Shqiptare për të përafruar standartet bujqësore e agropërpunuese të vendit tonë me ato të Bashkimit Europian.
Drejtoresha e AZHBR, Frida Krifca tha se Programi IPARD, si një ndër mbështetjet kryesore për bujqësinë evropiane për fermerët shqiptarë po ecën me ritme të kënaqshme.
“Mbi 120 milionë Euro të injektuara nga çelja e programit IPARD në bashkëfinancim, nga kjo 52 milion euro janë grant. Deri tani janë bërë 1000 aplikime, kemi lidhur tashme 308 kontrata, janë paguar rreth 170 investime. 94 milion euro janë në total grante dhe nuk kemi probleme për përthithjen e fondit”, tha Frida Krifca.
Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural është duke punuar edhe për akreditimin e IPARD III, në të cilin pritet të shtohen edhe masa të reja për mbështetje.