Vijojnë takimet informuese për Thirrjen e Katërt IPARD-II, në qarqet e Dibrës, Beratit dhe Elbasanit. Të gjitha qarqet shprehin interes të madh në këtë thirrje. Sot stafi i AZHBR dhe Autoriteti Menaxhues i programit IPARD, ishin në Elbasan, ku informuan të interesuarit për kriteret e thirrjes së katërt, për masën 7, Diversifikimin e Fermave, vetëm për sektorët e turizmit rural dhe natyrës, si dhe industria e artizanatit dhe punishteve të prodhimit. Kjo masë rezultoi një sukses për shqipërinë, e cila ofron prodhime natyrale dhe eksperiencë të mirë në fshat. Investimet do të mbështeten deri në 65% të kostove të pranueshme të projektit. Në dispozicion janë 5.2 Milion Euro. Drejtoresha e përgjithshme e AZHBR, Eranda Selmanaj, u shpreh se Elbasani është një qark me interes të lartë në fushën e turizmit të natyrës dhe atë rural, mjaft e arritëshme duke qenë pranë kryeqytetit. Diversiteti i biznesit që ofron kjo zonë është e lartë dhe e preferuar nga turistët kulinar dhe kultural, vendas dhe të huaj. Territori i gjerë dhe alternativat kodrinore, malore dhe liqenore, e bëjnë Elbasanin një destinacion tepër të frekuentuar dhe me rezultate të mira në fushën e bujqësisë, blegtorisë, përpunimit dhe turizmit. Takimet do të vazhdojnë dhe në qarqet e tjera sipas axhendës të publikuar në faqen e AZHBR. Thirrja do të mbyllet në datë 25 Shkurt 2022.