info@azhbr.gov.al
Tel: +355 42228318
E hënë – E premte

Drejtori i Përgjithshëm AZHBR

Ardita Kuçi
Drejtor i Përgjithshëm, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural

Ardita Kuçi është lindur në Berat, më 10 Prill 1988.

Ajo zotëron një Diplomë të Nivelit të Dytë të Integruar në Drejtësi nga Fakulteti i Drejtësisë, Universiteti i Tiranës, ku është specializuar në disa fusha të drejtësisë, duke përfshirë të Drejtën Civile, Penale, Publike, Administrative, të Punës, të Drejtat Evropiane, Private dhe Tregtare. Më tej ka thelluar ekspertizën e saj ligjore duke marrë titullin Avokat, nga Dhoma Kombëtare e Avokatëve të Shqipërisë në vitin 2011.

Znj. Kuçi ka një përvojë të pasur në fushën e drejtësisë dhe menaxhimit të projekteve IPA, sidomos në sektorët e zhvillimit bujqësor dhe rural.

Ajo ka drejtuar në AZHBR Drejtorinë e Monitorimit të Skemave, Riskut dhe Raportimit, një pozicion që e ka mbajtur prej nëntorit të vitit 2022 deri në shtator 2024, kur mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm.

Më parë, ka mbajtur pozicionin e Përgjegjëses së Sektorit Juridik, në të njëjtën Agjenci nga shtatori 2019 deri në nëntor të vitit 2022. Në këtë pozicion, ka luajtur një rol kyç në zhvillimin dhe rishikimin e kuadrit të ri ligjor, përgatitjen e akteve administrative dhe kontratave, zbatimin e procedurave të prokurimit publik dhe ofrimin e mbështetjes ligjore për të gjitha departamentet brenda Agjencisë.

Gjithashtu, nga dhjetori 2017 deri në shtator të vitit 2019, Znj. Kuçi ka shërbyer si Përgjegjëse e Sektorit të Përafrimit të Legjislacionit dhe Ndihmës së Huaj, në të njëjtën Agjenci. Gjatë kësaj periudhe ka koordinuar proceset e akreditimit të Programit IPARD II dhe harmonizimit të procedurave bazuar në legjislacionin e BE-së dhe atë kombëtar.

Znj. Kuçi ka mbajtur më herët edhe pozicione drejtuese në Bashkinë e Tiranës, Ministrinë e Punëve Publike dhe Transportit, si dhe sektorin privat.

Gjatë gjithë karrierës së saj profesionale, Znj. Kuçi ka kryer një serë trajnimesh dhe kualifikimesh mbi Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin e Brendshëm, Menaxhimin e Granteve, Prokurimin dhe Kontraktimin sipas Procedurave të BE-së, Luftën Kundër Korrupsionit, Thithjen e Investimeve të Huaja në fushën e Instrumentit të Para-Anëtarësimit IPA.

Ajo zotëron disa gjuhë të huaja, duke përfshirë gjuhën angleze, italiane, franceze dhe gjermane.