Skema Kombëtare 2022, nisi sot rrugëtimin për informimin e fermerëve në të gjitha qarqet. Grupet e AZHBR në bashkëpunim me MBZHR, informuan të interesuarit në Berat, Fier dhe Vlorë, në lidhje me aplikimet online dhe ato me dosje fizike. 13 masat e financimeve, arrijnë një total buxheti prej 3.2 Miliard Lekësh , duke përfshirë edhe 950 milion Lekë për masën e financimit me naftë për makineritë bujqësore. Në skemë përfshihen sektorët e blegtorisë, peshkimit, bletarisë, bujqësisë, certifikimi, e të tjera. Drejtoresha e përgjithshme e AZHBR, Eranda Selmanaj, theksoi se risia e këtij viti është Regjistri i Fermës, përmes një vetëdeklarimi në zyrat AREB përkatëse, ndërsa aplikimet me zero dokumenta, do të kryhen përmes portalit e-albania. Takimet informuese do të vazhdojnë edhe pas çeljes së thirrjes me datë 25 Shkurt, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 25 Mars 2022.