Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), znj. Ardita Kuçi, mori pjesë në Konferencën e 57-të të Drejtorëve të Agjencive të Pagesave të BE në Varshavë, Poloni, në kuadër të Presidencës Polake të Këshillit të BE-së.
Konferenca mblodhi përfaqësues të agjencive të pagesave nga vendet anëtare dhe kandidate të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të Komisionit Evropian, Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).
Pjesëmarrësit vizituan Universitetin e Shkencave në Varshavë (SGGW), ku u prezantuan teknologji të avancuara që mbështesin bujqësinë moderne. Delegacioni u njoh nga afër me zgjidhje inovative në fushën e hortikulturës, përfshirë përdorimin e dronëve për spërkatje dhe sistemet autonome për drejtimin e makinerive bujqësore. Gjithashtu, u zhvillua një vizitë në Qendrën për Mjekësinë Translacionale, një nga qendrat kërkimore më moderne shkencore dhe kërkimore në Poloni, ku kryhen kërkime ndërdisiplinore të mjekësisë veterinare dhe bioteknologjisë.
Pjesëmarrja e AZHBR në këtë aktivitet të nivelit të lartë përfaqëson një angazhim të vazhdueshëm të institucionit për të ndjekur nga afër zhvillimet evropiane në menaxhimin e fondeve për bujqësinë dhe për të forcuar bashkëpunimin me homologët e vendeve të BE-së dhe atyre kandidate.