Takim me fermerët e Durrësit për Masat Mbështetëse për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2018

Drejtore e Përgjithshme e AZHBR Znj. Frida Krifca zhvilloi të premten dt 23/02/2018 një takim gjithëpërfshirës në ambientet e Këshillit Bashkiak të Durrësit  me qëllim shpjegimin dhe promovimin e Masave Mbështetese për Bujqësinë dhe zhvillimin Rural 2018. 

Të pranishmit kanë patur mundësinë të bëjnë të gjitha pyetjet dhe të sqarojnë çdo paqartësi në lidhje me mënyrën e aplikimit, përmbajtjen e masave, detaje të masave për rajonin e Durrësit, kriteret e aplikimit, përfitimit të masave dhe objektivat kryesorë të këtyre mbështetjeve financiare.

Ndalesa në Durrës u realizua si vazhdim i një turi të gjatë takimesh në të gjithë vendin që AZHBR në bashkëpunim edhe me të gjitha grupet e interesit (bashki, kryetarë  të njësive  administrative, fermerë, deputetë të zonës etj) po realizon për t’i paraprirë fazës së aplikimeve.

Turi i promovimit te Skemave Mbështetëse për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural 2018, synon takime shpjeguese në të gjithë territorin e vendit deri në dt 28 Shkurt kur hapen edhe aplikimet për të interesuarit që do të përfitojnë nga këto grante.

Rreth 25 punonjës të mirëtrajnuar të Azhbr janë ndarë në 6 grupe pune dhe po realizojnë paralelisht takime me fermerët në të gjithë vendin.

Në disa nga qarqet kryesore kësaj trupe të AZHBR i është bashkuar edhe një grup studentësh dhe pedagogësh të Universitetit Bujqësor të Tiranës, të cilët të trajnuar më parë nga punonjësit e Agjencisë po marrin pjesë në takimet shpjeguese të Skemës Kombëtare me fermerë anë e mbanë vendit.