Ekipi i AZHBR në projektin global “Belt and Road Initiative” në Kinë

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural merr pjesë në seminarin 3 javor të organizuar nga Qeveria e Republikës Popullore të Kinës në kuadër të nismës “Belt and Road Initiative (BRI)”, për rritjen e bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, si dhe nxitjen e investimeve të huaja.

Seminari kulmoi me Festivalin Global të Projekteve 2019 për financime nga investitorët kinezë, i mbajtur në Shanghai në datën 12 Korrik 2019. Në aktivitet morën pjesë 18 vende nga Europa, Azia dhe Afrika, të cilët prezantuan projekte konkrete për financime nga investitorët e Republikës Popullore të Kinës.

Trajnimi i përfaqësuesve nga vendet e Europës Qendrore dhe Lindore në kuadër të iniciativës “Një brez, një rrugë” ndikon në ngritjen e performancës së kapaciteteve publike, si dhe në krijimin e një modeli biznesi të suksesshëm dhe të qendrueshëm. Përfaqësuesit e AZHBR prezantuan projekte në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, ku sipërmarrës kinezë shfaqën interes për politikat fiskale dhe incentivat e Qeverisë Shqiptare për investimet në bujqësi.

Stafi i AZHBR parashtroi politikat e Qeverisë Shqiptare për lehtësirat dhe asistencën ndaj
investitorëve të huaj me potencial në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, duke i ftuar të investojnë në Shqipëri.