Shqipëria prezanton Agrikulturën në Samitin e Hong Kongut – ATS 2018

Samiti i parë “The Belt & Road Agrifood & Trade (ATS) mblodhi së bashku Ministrat e Bujqësisë dhe Tregtisë nga 5 vende të botës: Shqipëria, Kamboxhia, Gjeorgjia, Lituania dhe Zimbabve. Delegacioni shqiptar përbëhej nga Zv/Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Dhimitër Kote, Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR), e dërguara e posaçme nga Kryeministri i Shqipërisë, Frida Krifca. Samiti i Parë për Bujqësinë, Agroindustrinë dhe Tregtinë, i organizuar në Hong Kong, nga datat 27 – 29 Qershor, përmes nismës “Një Brez, një Rrugë” synon forcimin e marrëdhënieve të vendeve pjesëmarrëse në industrinë ushqimore, tërheqjen e investitorëve globalë dhe krijimin e mundësive të reja biznesi në sektor.

Drejtore e Përgjithshme e AZHBR, Frida Krifca gjatë fjalës së saj në samit u shpreh se Shqipëria ka përmirësim të ndjeshëm në sektorin e bujqësisë, duke nxitur prodhimin e produkteve cilësore, shumëllojshmëri dhe garantuar siguri ushqimore.

“Ekonomia jonë po tregon shenja përmirësimi dhe qëndrueshmërie. Gjatë vitit 2014 -2017, Kina rriti marrëdhëniet tregtare me Shqipërinë, duke u bërë partneri i dytë më i madh tregtar për Shqipërinë dhe tejkaluar partnerët e vjetër. Përmirësimet në rritje të ekonomisë sonë, kanë ofruar shumë mundësi për investimet e huaja direkte, si: Kuadri Ligjor në favor dhe mbrojtje të investimeve të huaja, sistemi i taksave të favorshme, forca e re dhe e kualifikuar e punës, sistemi bankar efektiv, investimet e reja në përmirësimin e infrastrukturës, etj, u shpreh Drejtore e AZHBR. Zj. Krifca shtoi se ka ende sfida për të promovuar dhe përmirësuar më tej produktet shqiptare, por përafrimi i legjislacionit me lehtësira për investitorët e huaj, si dhe ky bashkëpunimin dypalësh do të sjellë frytet e saj shumë shpejt.

Të ftuar në këtë samit ishin personalitete nga vende të ndryshme, përfaqësuesë politikë, tregtarë dhe konsulentë të fushës, profesionistë të industrive ushqimore, që trajtuan dhe shkëmbyen mendime mbi zhvillimin, mundësitë dhe sfidat e bashkëpunimit në industrinë bujqësore dhe ushqimore të vendeve pjesëmarrëse në këtë samit.

Ky samit global propozon “Pesë fusha ndërveprimi”: Koordinimi i Politikave, Krijimi i Lehtësirave, Tregtia e Lirë, Integrimi financiar, Lidhja njerëzore. “Tregtia e palimituar”, e cila propozohet për krijimin e zonave të tregtisë së lirë me vendet e zhvilluara dhe ekonomitë në zhvillim si vazhdim i iniciativës “Një Brez, një Rrugë” sjell mundësi dhe vitalitet të paprecedentë për biznesin, duke krijuar një klimë të mirë biznesi dhe realizuar lehtësimin e tregtisë, investimeve në bujqësinë globale dhe industrinë ushqimore.

Shqipëria përfaqësohej në këtë panair me mbi 20 produkte agro-ushqimore nga 8 kompani të ndryshme me qendër në Shqipëri, të cilat eksportojnë prodhimet e tyre cilësore jashtë vendit. Nën sloganin “Taste of Balkans” (Shije Ballkani) prodhime si; Vaj ulliri, Verë e kuqe, e bardhë dhe Rose, Djathë, Salcë, Reçel, Birrë dhe të tjera prodhime, shërbenin si ambasadorë të vërtetë të shijes shqiptare, përfaqësuar nga Z. Herris W. Koçibelli, Drejtori HWK Trading CO.Ltd në Makau.

Më pas delegacioni shqiptar u zhvendos në Departamentin e Bujqësisë, Peshkimit dhe Konservimit të Hong Kongut, ku u zhvillua takimi me Drejtorin e Përgjithshëm Dr. P.M SO dhe stafin e tij drejtues. Ky takim synonte shkëmbimin e eksperiencave në investime dhe politikat bujqësore të dy vendeve tona. Z. Kote theksoi se bujqësia në Shqipëri është në rritje dhe se interesi nga jashtë për produktet Shqiptare sa vjen e shtohet, duke ndikuar edhe në cilësinë e prodhimeve.

Zj. Frida Krifca deklaroi se mbështetja dhe fokusi i qeverisë Shqiptare në bujqësi është i plotë dhe se shifrat flasin për një përparim konstant në këtë sektor. Mundësitë për tu zgjeruar në tregjet ndërkombëtare, duke konkurruar në cilësi dhe masë jashtë vendit po rriten, duke ju referuar viteve të fundit, një tregues i rrugës së duhur në mbështetjen e prodhimit dhe politikbërjes së këtij sektori në Shqipëri.

Drejtori i përgjithshëm Dr. SO, përmendi se bujqësia në Hong Kong është një faktor i fuqishëm kryesisht në rrugë importi, por edhe në prodhimin vendas ku numërohen rreth 700 ha tokë të mbjellë dhe rreth 30 ton në ditë fruta – perime, si dhe pula e derra të rritur në ferma me struktura moderne. Hong Kongu është përqëndruar në bujqësinë inovatore, duke përfshirë metoda të reja në kultivimin e bimëve, me plantacione dhe sera të zhytura në ujë, si dhe kultivimin e peshkut me metoda ushqimi të pajisura me teknologji të lartë. Agroturizmi ishte një tjetër pikë interesi për vendin e largët. Masa mbështetëse për ferma ndërvepruese me publikun dhe konsumatorin, ishin kthyer në një prioritet për turizmin në Hong Kong, si pjesë e informimit të konsumatorit dhe prezervimit të natyrës. Prodhimet e fermave apo plantacioneve, që dilnin nga këto iniciativa bujqësore pasi kontrolloheshin dhe analizoheshin me kujdes, përfundonin në tregun vendas, nën vulën e çertifikimit nga kjo drejtori si prodhime të sigurta dhe me cilësi të lartë.

Hong Kongu, si një vend Port, i cili ka potencial të madh importi dhe kërkon rrugë të reja bashkëpunimi për furnizimin e vendit dhe rajonit, mund të jetë një partner tregtar i fuqishëm në të ardhmen ekonomike të Shqipërisë.