Marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë e Pagesave Turke, për absorbimin e fondeve IPARD

 

Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Frida Krifca, nënshkroi sot marrëveshjen e bashkëpunimit me Presidentin e Agjencisë së Pagesave të Turqisë (TKDK), Hakan Kalender, në Ankara. Marrëveshja synon të forcojë marrëdhënien mes dy institucioneve në fusha me interes të përbashkët dhe absorbimin e fondeve të programit IPARD, bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian. Gjithashtu, përmes një strategjie bashkëpunimi mes dy Agjencive, synohet shkëmbimi i eksperiencave dhe trajnimi i ekspertëve të fushës, për të garantuar përthithje të fondeve dhe performancë efektive në implementimin e programeve të BE.

Agjencia e Pagesave të Turqisë (TKDK), e akredituar në vitin 2011 për menaxhimin dhe implementimin e programit IPARD, është një prej implementuesve më të suksesshëm të këtij programi, me rezultate të larta në numrin e projekteve të financuara.

Fokusi i bashkëpunimit do të shtrihet në zhvillimin e kapaciteteve dhe përmirësimin e proceseve të pranimit të projekteve, duke i dhënë përparësi impaktit ekonomik dhe diversitetit të prodhimeve bujqësore, si dhe risive në këtë fushë. Në këtë takim u dha gjithashtu rëndësi kontrolleve administrative, përpara dhe pas kontraktimit, si dhe menaxhimi të teknikaliteteve gjatë procesit të aprovimit të projekteve.