AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Takim Projekti ItalianMë datën 15.04.2014 në orën 10.00 në mjediset e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave u prezantua fillimi i Projektit Italian për zhvillimin e bujqësisë shqiptare. Në këtë prezantim ishin të pranishëm Ministri Z. Panariti, ambasadori Italian Z. Gaiani dhe Drejtoresha e Agjencisë së Pagesave Znj. Suela Popa. Projekti italian kap vlerën 10 milion euro, sipas programeve: 

1. Fuqizimi i Agjensisë së Pagesave për disbursimin e granteve në bujqësi;

2. Programi për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Ullinjve;

3. Sigurimet e lehtësuara në bujqësi.

Programet janë si më poshtë:

1.Fuqizimi i Agjensisë së Pagesave për disbursimin e granteve në agrikulturë

Ky Program synon të ndihmojë në mbështetjen ndaj Republikës së Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe në veçanti, në adoptimin e acquis të BE në fushën e bujqësisë duke përmirësuar administrimin e kontributeve për ndërmarrjet bujqësore dhe të ardhurat e tyre. Ky objektiv rezulton të jetë strategjik për Autoritetet shqiptare, sepse do të mundësojë aksesin ndaj fondeve komunitare të parashikuara në kuadrin e Politikës së Përbashkët për Bujqësinë (PPB/CAP), me ndikime vërtet të mira për popullsinë shqiptare që merret me sektorin e bujqësisë.

Më konkretisht, ndërhyrja synon të pajisë Agjencinë e Pagesave (AZHBR) me një Sistem të Integruar të Manaxhimit dhe Kontrollit (Integrated Administrative and Control System – IACS) dhe me të gjithë ata komponentë që shoqërojnë dhe plotësojnë këtë sistem, ashtu siç kërkohet nga Bashkimi Evropian, si instrument i detyrueshëm për menaxhimin e rregullt të kontributeve dhe lehtësimeve të parashikuara nga kuadri rregullues komunitar.

Rezultatet që synon të arrijë Programi janë:

  • Legjislacion vendas parësor dhe dytësor të përshtatshëm dhe kuadër organizativ dhe proçedurial i plotësuar dhe i përshtatur;
  • Realizimin e një Qendre të të Dhënave të plotësuar dhe me infrastrukturë aplikative;
  • Realizimin në bazë të Rreg. (KE) 1593/2000 të një sistemi përcaktimi dhe klasifikimi të parcelave bujqësore (LPIS);
  • Plotësimi i regjistrit të Fermës përmes krijimit të një regjistri të përgjithshëm kombëtar të ndërmarrjeve bujqësore shqiptare, ku katalogohen të gjitha informacionet në lidhje me pronësinë, shtrirjen territoriale, prodhimin, mjetet mekanike, etj., të çdo ndërmarrjeje bujqësore;
  • Dhënie e mbështetjes së duhur për zbatimin e masave të Zhvillimit Rural, përmes përcaktimit dhe hartimit të proçedurave për zbatimin e masave të Programit të Zhvillimit Rural (PZHR), në bazë të reformës së ardhshme të Politikës së Përbashkët Bujqësore.                                                           

2.Programi për Zhvillimin e Qëndrueshëm të Sektorit të Ullinjve

Programi synon të ndihmojë përmirësimin e sigurisë ushqimore kombëtare; të kushteve socio-ekonomike të familjeve rurale në vend dhe të qëndrueshmërisë mjedisore dhe ekonomike të bujqësisë shqiptare.

Objektivi i tij specifik është të përmirësojë sektorin shqiptar të ullishtarisë e prodhimit të vajit, nëpërmjet hartimit dhe ndërfutjes së instrumenteve juridikë në përputhje me standardet legjislative evropiane dhe futjen e risive teknike për përmirësimin cilësor-sasior të prodhimit të vajit edhe përmes lëvrimit të burimeve financiare shtesë.

 Rezultatet që synohet të arrihen janë:

  • Realizimi i një strukture për menaxhimin dhe koordinimin e Programit;
  • Harmonizimi i legjislacionit shqiptar në sektorin e ullishtarisë-prodhimit të vajit me standardet legjislative të BE-së dhe përgatitja e një Plani Kombëtar për zhvillimin dhe rivlerësimin e sektorit të vajit të ullirit;
  • Rritje e sasisë së rrënjëve të ullirit të cilësisë më të lartë (të çertifikuara) të prodhuara në fidanishte;
  • Përmirësim dhe rritje e zbatimit të praktikave më të mira në menaxhimin e ullishteve;
  • Zbatim i praktikave më të mira për një menaxhim sa më të mirë të pikave të prodhimit të vajit dhe të nënprodukteve dhe vlerësimin e cilësisë së vajit sipas normave ndërkombëtare (BE/COI);
  • Arritje e një vizibiliteti të përshtatshëm për programin dhe një depërtim më i madh në tregjet kombëtare dhe ndërkombëtare të vajit të ullirit shqiptar.

3.Sigurimet e lehtësuara në bujqësi

Objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është përmirësimi i kushteve të jetesës së popullsisë që merret me bujqësi, nëpërmjet stabilizimit të të ardhurave familjare që vijnë nga veprimtari bujqësore, dhe në rast ngjarjesh fatkeqësish natyrore.

Objektivi specifik synon krijimin dhe eksperimentimin në nivel kombëtar të një sistemi sigurimesh bujqësore të lehtësuara, ku do jetë e nevojshme futja e një mekanizmi, i cili nëpërmjet ndihmave shtetërore, të mund të kryejë transferimin e shpenzimit publik nga ex– post, i pasigurtë në “an” dhe në “quantum”, në ex– ante, i sigurt dhe i përcaktueshëm që më parë, me rrjedhojë transferimin e paqendrueshmërisë së riskut në tregun e sigurimeve, i cili merr përsipër të likujdojë ngjarjet e mundshme të fatkeqësive natyrore brenda një kohe të shkurtër për të mundësuar vazhdimësinë operative të sektorit të bujqësisë.

Në këtë projekt është zgjedhur sektori i vreshtarisë si segment pilot ku do të nisë eksperimentimi i sistemit të sigurimeve të lehtësuara. 

 Projekti përbëhet nga tre komponentë:

  • Përcaktimi i kuadrit ligjor referues për stimujt sigurues në bujqësi. Legjislacioni për stimuj sigurues duhet të përftohet para nisjes së eksperimentit, i cili duhet të jetë në përputhje me kufizimet e përcaktuara nga kuadri rregullues evropian në lidhje me ndihmat e shtetit për mbulimin e risqeve klimaterike dhe fitopatologjik.
  •  Krijimi i një banke të dhënash dhe furnizim i stacioneve meteorologjike në mënyrë që të përcaktohet risku, dhe primi i sigurimit, të vihen në një emërues të përbashkët të dhënat meteorologjike të rilevuara gjatë viteve dhe të krijohet një sistem rilevimi në territor për ngjarjet meteorologjike, duke investuar mbi të gjithë ato zona gjeografike ku janë të përqëndruara prodhimet më të mëdha të rrushit.
  •  Krijimi i tregut të sigurimeve për lehtësime në bujqësi. Duke pasur parasysh që policat e sigurimit lëshohen nga shoqëritë e sigurimit, duhet të jepet asistencë për operatorët lokalë dhe mbështetje teknike për administrimin e policave dhe tregun në sektorin e ri. Projekti synon të krijojë një grup pune, i cili do të shqyrtojë një policë sigurimi për t’u shpërndarë më pas ndër prodhuesit e rrushit për verë, do të përcaktojë si objektin e sigurimit ashtu dhe përqindjen e primit që do t’u kërkohet fermerëve të paguajnë. Gjithmonë si qëllim do jetë mbajtja disi e ulët e kostos së policës së sigurimit, dhe është e rëndësishme risigurimi shtetëror, i cili kryen detyrën e dhomës së kompensimit mes shoqërive të sigurimit shqiptare dhe në disa raste risiguruesve ndërkombëtar.