AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Z. Edmond Panariti  dhe Drejtoresha e Agjencisë së Pagesave Znj. Suela Popa u takuan në Bruksel me komisionerin e BE për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural Z. Dacian Ciolos. Tema kryesore e bisedimeve ishte financimi i bujqësisë shqiptare përmes programeve IPARD të Bashkimit Europian. Komisioneri Ciolos u shpreh se fondet mbështetëse për bujqësinë shqiptare janë gjithnjë në rritje. Në takim u shpreh se bujqësia shqiptare meriton më tepër mbështetje nga BE. Aktualisht përmes IPARD-like po bëhen përpjekjet maksimale që të rritet numri i fermerëve përfitues nga fondet e BE. Ministri Panariti kërkoi nga Komisioneri Ciolos krijimin e hapësirave në BE për praninë në tregjet europiane të prodhimeve bujqësore shqiptare.
Përmes programit IPARD-like Shqipëria përfiton 8.2 mln euro nga të cilat 6.2 financohen nga BE dhe 2.07 mln euro nga qeveria shqiptare. Aktualisht është shpallur thirrja e tretë dhe e fundit për përfitimin e këtyre fondeve nga fermerët shqiptarë. Ndërkohë Shqipëria ka aplikuar për fondet IPARD 2014-2020.