AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Drejtoresha e Agjencisë së Pagesave Znj. Suela Popa dhe stafi që ajo drejton ishin pjesëmarrës në sesionin e parë të trajnimit të administratës publike, që ka marrëdhënie direkte me sipërmarrjen dhe qytetarët. Znj. Popa theksoi se trajnimi i administratës është shumë i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të arritur në ato standarte që ne besojmë dhe vendi ynë meriton. Gjithashtu ajo shprehu që përvojën e fituar në trajnimin e ditës së sotme, do ta shpërndaj në të gjithë stafin e Agjencisë së Pagesave, në mbështetje të trajnimeve të tjera të organizuara brenda agjencisë. Trajnimi u fokusua tek vetë-disiplina dhe menaxhimi i kohës, i cili ka qënë një nga problemet kryesore që ka shoqëruar administratën.

Trajnimi që do të përfshijë të gjitha nivelet e kësaj agjencie do të sjellë një frymë të re bashkëpunimi, një marrëdhënie dhe kreativitet mes AZHBR dhe Bujqësisë në të gjithë vendin. Administrata publike është një nga prioritetet e integrimit të vendit dhe për këtë qëllim vëmendja e qeverisë është fokusuar në ngritjen e kapaciteteve të punonjësve për krijimin e një administrate etike, profesionale dhe të përkushtuar në shërbim të publikut. Drejtoresha e Agjencisë së Pagesave prezente në këtë trajnim, mori në konsideratë vendimin e qeverisë për të trajnuar stafin që ka lidhje direkte me sipërmarrjen, si një proces që sipas saj do të rrisë mundësinë e punësimit.

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha kanë qëndruar për pak në ambientet ku zhvillohej trajnimi dhe kanë dhënë mesazhe për këta drejtues të administratës.E gjithë administrata publike është futur në një proces trajnimi për të rritur performancën. Trajnimet e administratës publike do të jenë të vazhdueshme për të mundësuar përballimin e sfidave në rrugën e integrimit të plotë të vendit.