AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Startoi në datën 17 mars, afati i thirrjes së tretë të aplikimeve për fermerët për të përfituar nga fondet IPARD-like (instrumenti i BE para anëtarësimit). Këto fonde të dedikuara vetëm për bujqësinë shqiptare, kanë një vlerë prej 8.2 milion euro, ku BE financon 6.2 milion euro ndërsa qeveria shqiptare, 2.07 milion euro. Pas dy thirrjeve të para, tashmë janë në dispozicion për t’iu shpërndarë fermerëve shqiptarë rreth 4 milion euro.

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, AZHBR (Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Agjencia e Pagesave) dhe GIZ Albania (bashkëpunimi nderkombëtar gjerman), zhvilluan në datën 17 mars në mjediset e Hotel Tirana, një aktivitet informues për thirrjen e tretë të aplikimeve për fermerët për të përfituar nga fondet IPARD-like. Aplikimi kësaj here do të zgjasë më shumë se një muaj, pra starton sot më 17 mars dhe do të vazhdojë deri në 2 maj 2014, ku aplikimi do të mbyllet në orën 16.00. Marrja e këtyre fondeve nga fermerët është një mundësi e artë për ta, për të modernizuar fermat e tyre apo industritë agropërpunuese. Fermerët do kenë mundësi të përfitojnë shumën prej 50% të investimit të tyre (për raste specifike shkon edhe 65%), pasi ta kenë kryer këtë investim. Për të lehtësuar procedurën e aplikimit si dhe për të maksimalizuar aplikimet nga fermerët nga i gjithë vendi, përvec fushatës publicitare ku spote televizive po jepen në gjithë televizionet lokale të vendit në çdo qark, përfaqësues të Ministrisë dhe AZHBR-së do të nisin një tur në qytete të vendit, për të sqaruar këtë procedurë. Sot në takimin ne Hotel Tirana ishin të pranishëm rreth 200 fermere nga Durresi e Tirana. Më 18 mars do te zhvillohet një tur informues për fermerët në Shkodër e Lezhë, ne datë 20 mars, ne Fier, Lushnje, Berat e keshtu me radhë (Në faqen zyrtare të AZHBR-së, www.azhbr.gov.al , gjeni të plotë informacionin për takimet informuese rajonale në kuadër të thirrjes së tretë të IPARD-like).

Skema e grantit IPARD-like do zbatohet nëpërmjet dy masave:

Masa 1: Investime në fermat bujqësore;

Masa 2: Investime në përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore.

Në masën 1, mbështeten katër sektorë: qumësht, mish, fruta, perime.

Në masën 2 mbështeten sektorët: Qumësht e bulmet, thertore e përpunim mishi, përpunim fruta perime, sektori i vajit, i verës, i mjaltit dhe i bimëve mjekësore.

Thirrja e parë u hap 18 dhjetor 20012-18 shkurt 2013, nga të cilat fitues dolën 19 fermerë.

Thirrja e dytë u hap 30 prill 2013- 28 qershor 2013, janë marrë 65 aplikime dhe fituesit do shpallen së shpejti.  

Të gjithë aplikantët për cdo pyetje do të kontaktojnë në zyrat e AZHBR-së. Në faqen zyrtare www.azhbr.gov.al gjejnë pikat e kontaktit, të gjithë formularët e aplikimit dhe udhëzuesin për aplikim.