AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave ka shpallur sot skemat e mbështetjes financiare për fermerët në konferencën kombëtare “Pagesat në bujqësi si mjet zhvillimi”. Në konferencë ishin të pranishëm kryeministri i vendit z. Edi Rama, Ministri i Bujqësisë z. Edmond Panariti, Ambasadori i BE në Tiranë z. Ettore Sequi, përfaqësues të ambasadave të tjera, donatorë të huaj dhe nga ana tjetër ishin ftuar grupet e interesit, përfaqësues të agrobiznesit, blegtorisë, serave, bletarisë, peshkimit, të vajit të ullirit, bujqësisë organike, bimëve medicinale, verës, etj.

Kryeministri z. Edi Rama shpalosi vizionin e qeverisë për bujqësinë shqiptare duke e konsideruar një sektor prioritar. “Ne jemi zotuar që ta bëjmë fermerin, përfitues të drejtpërdrejtë të skemave të zgjeruara të shtetit, duke vendosur një distancë të qartë nga praktikat diskriminuese dhe akoma më keq korruptive që kanë karakterizuar marrëdhëniet mes shtetit dhe sektorit në të gjithë këto vit” u shpreh z. Rama. Një fjalë përshëndetëse mbajti dhe ambasadori i BE në Tiranë z. Ettore Sequi, pasi BE ka dhënë dhe vazhdon të japë një ndihmë të jashtëzakonshme për bujqësinë përmes projekteve IPARD (fondet para anetarësimit për zhvillimin rural). 

Ministri i Bujqësisë, z. Edmond Panariti theksoi se këtë vit ndryshe nga cdo vit tjetër buxheti për mbështetjen financiare për fermerët u rrit me 70 % dhe ky është një tregues i vëmendjes së qeverisë për këtë sektor prioritar për ekonominë. “Jemi të vetëdijshem për sfidat më të cilat përballet sektori i bujqësisë, por angazhimi ynë është ndërinstitucional për t’i adresuar këto probleme”, tha z. Panariti. Ai theksoi se me skemat e reja te mbeshtetjes financiare, vëmendja e qeverisë është e përqëndruar jo vetëm në inkurajimin e fermerit për të rritur prodhimin më kosto të ulët, por në përdorimin me efikasitet dhe efiçencë të këtyre fondeve.

Më tej, drejtoresha e AZHBR znj. Suela Popa shpalosi dhe skemat e reja të mbështetjes financiare për vitin 2014.  Thelbi i skemave të reja synon rritjen e cilësisë së prodhimit, mbështetjen e inovacionit dhe modernizimit në bujqësi, rritjen e punësimit si dhe shtimin e të ardhurave në xhepin e cdo fermeri dhe agropërpunuesi. Konkretisht ne skemat e reja prioritet për mbështetje financiare është blegtoria e imët; ngritja e pikave të grumbullimit, ruajtjes dhe tregtisë me shumicë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale; mbështetja e shoqërive të bashkëpunimit bujqësor; mbjellja e vreshtit; serrat me ngrohje dimërore përmes financimit të karburantit. Për herë të parë mbështeten projekte për hapjen e puseve, rezervuareve dhe lerave. Risi në skemat e reja është dhe mbështetja për akuakulturën.

Z. Grigor Gjeci prezantoi skemat IPARD like, që përfaqësojnë mbështetjen financiare për bujqësinë nga BE në masën 75 % dhe nga qeveria shqiptare në masën 25 % me një fond prej 8,270,000 Euro. IPARD mbështet kryesisht këta sektorë: sektori i mishit, qumështit, frutave dhe perimeve.

Pas prezantimit të skemave, për herë të parë u dëgjuan mendimet e vetë fermerëve, agropërpunuesve. Me sugjerimet e tyre ata u bënë pjesë e hartimit të skemave, pasi shumë prej kërkesave të tyre janë përfshirë në skemat e reja të mbështetjes. Përfaqësues të grupeve të interesit paraqitën problematikat në sektorët e tyre dhe falenderuan Ministrinë e Bujqësisë për marrjen në konsideratë dhe reflektimin në skemat e reja për 2014.