AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Në kuadrin e hartimit të Udhëzimit për “Përcaktimin e kritereve bazë, të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2014”, Drejtoresh e Pergjithëshme e AZHBR, Znj. Suela POPA, nga data 07-18/1/2014, organizoi një sërë takimesh pothuajse në të gjitha qarqet dhe rrethet e Shqipërisë dhe me të gjitha grupet e interesit për marrjen e një feedback-u për përmirësimin e strategjisë së mbështetjes së bujqësisë nga qeverija aktuale.

Takimet u karakterizuan nga një gjithëpërfshirje rajonale dhe institucionale. Në takime morën pjesë përfaqësues pothuajse nga të gjitha komunat e rretheve përkatëse dhe nga të gjitha grupet e interesit si fermerë të profileve të ndryshëm, përpunues, specialist bujqësie dhe blegtorie, bletarë, ekstensionistë, përfaqësues të shoqërisë civile, përpunues, prodhues dhe tregëtarë inputesh etj.

Diskutimet u përqëndruan në problematikat kryesore që ka patur implementimi i skemave deri tani dhe në propozimet konkrete për përmirësimin e tyre si nga pikpamja e drejtimeve kryesore ku duhen të drejtohet mbështetja financiare, ashtu edhe nga pikpamja e proçedurave që duhet të ndiqen me qëllim rritjen e eficiencës dhe impaktit të tyre.

Ajo që u theksua nga pjesëmarrësit e të gjithë qarqeve dhe rretheve, ishte ndryshimi i strategjisë së mbështetjes kryesisht duke u fokusuar më tepër në skemat më prioritare për cdo qark dhe rreth dhe në skemat më sensitive në drejtim të uljes së kostos së prodhimit si ai i subvencionimit të karburantit për njësi sipërfaqe të punuar. Në shumë takime u kërkua mbështetja e produkteve të vendit mbi bazën e prodhimit dhe dorëzimit të tyre në qëndrat e grumbullimit dhe të përpunimit, në futjen e disa skemave specifike për zonat të kondicionuara nga kushtet e veçanta pedoklimatike dhe sociale.

Gjithashtu, propozime pati në drejtim të përmirësimit dhe përshpejtimit të proçedurave për miratimin e udhëzimit të skemave nacionale për vitin 2014, në mënyrë që implementimi i skemave mbështetëse të përputhet me afatet kohore të mbjelljes dhe kultivimit të kulturave të ndryshme

Takimet në formën e një bashkëbisedimi midis palëve u konsideruan të domosdoshme për ndërtimin e një strategjie sa më eficiente dhe u vlerësuan nga pjesëmarrësit.