AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Në vazhdim të takimeve për marrjen e një feedback-u nga baza për përcaktimin e strategjisë së mbështetjes në hartimin e udhëzimit për “Kriteret bazë, sektorët që do të mbështeten dhe masa e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2014”, Drejtoresha e AZHBR, Znj. Suela Popa organizoi gjashtë takime të njëpasnjëshme në datat 9,10 dhe 13 janar me të gjithë grupet e interesit të rretheve Gjirokastër, Përmet, Tepelenë, Sarandë, Fier dhe Lushnje.

Të gjitha takimet u karakterizuan nga një gjithëpërfshirje masive e të gjithë grupeve shoqërore dhe rajonale të përfshira në proces. Në takim morën pjesë përfaqësues pothuajse nga të gjitha komunat e rretheve përkatëse dhe nga të gjitha grupet e interesit si fermerë të profileve të ndryshme, përpunues, specialist bujqësie dhe blegtorie, bletarë, ekstensionistë, përfaqësues të shoqërisë civile, përpunues, prodhues dhe tregtarë input-esh etj.

Pjesëmarrja e madhe në të gjitha takimet dhe mendimet e shprehura demostruan një dëshirë dhe vullnet të pjesëmarrësve për të dhënë kontributin e tyre në përcaktimin e prioriteve në strategjinë e zhvillimit të zonës.

Diskutimet u përqëndruan në problematikat kryesore që ka patur implementimi i skemave deri tani dhe në propozimet konkrete për përmirësimin e tyre, si nga pikëpamja e drejtimeve kryesore ku duhen të drejtohet mbështetja financiare, ashtu edhe nga pikëpamja e proçedurave që duhet të ndiqen me qëllim rritjen e efiçiencës dhe impaktit të tyre.

Ajo që u theksua nga pjesëmarrësit e këtyre rretheve ishte ndryshimi i strategjisë së mbështetjes, kryesisht duke u fokusuar më tepër në skemat e blegtorisë për qarkun e Gjirokastrës, në subvencionimin e karburantit për njësi sipërfaqe të punuar dhe rimbursimin e TVSH në blerjen e input-eve bujqësore, me qëllim uljen e kostos së prodhimit, në mbrojtjen dhe mbështetjen e produkteve të vendit mbi bazën e prodhimit dhe dorëzimit të tyre në qëndrat e grumbullimit dhe të përpunimit, në futjen e disa skemave specifike për zonat të kondicionuara nga kushtet e veçanta pedoklimatike dhe sociale.

Takimet në formën e një bashkëbisedimi midis palëve u konsideruan të domosdoshme për ndërtimin e një strategjie sa më efiçiente dhe u vlerësuan nga pjesëmarrësit.