AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Në kuadrin e hartimit të Udhëzimit për “Përcaktimin e kritereve bazë, të sektorëve që do të mbështeten dhe të masës së përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2014”, Drejtoresha e AZHBR, Znj. Suela Popa organizoi një takim në rrethin e Vlorës me të gjitha grupet e interesit për marrjen e një feedback-u për përmirësimin e strategjisë së mbështetjes së bujqësisë në këtë rreth.

Takimi u karakterizua nga një gjithëpërfshirje rajonale dhe institucionale. Në takim morën pjesë përfaqësues pothuajse nga të gjitha komunat e rrethit të Vlorës dhe nga të gjitha grupet e interesit, si përfaqësues të Drejtorisë Rajonale të Vlorës, të Sektorit të Këshillimit dhe Kooperimit Bujqësor, të shoqatës së BIO ADRIA-s, të QTTB- së Vlorë, fermerë të profilit bujqësor dhe blegtoral, agropërpunues, prodhues fidanësh etj.

Diskutimet u përqëndruan në problematikat kryesore që ka patur implementimi i skemave deri tani dhe në propozimet konkrete për drejtimet kryesore ku duhen të drejtohet mbështetja financiare në rrethin e Vlorës. Skema të tilla si ajo e mbështetjes së blegtorisë, mbjelljes dhe mbrojtjes së ullirit, mbështetjes së prodhimit BIO, mbështetja mbi bazën e prodhimit dhe dorëzimit të tyre në qëndrat e grumbullimit dhe të përpunimit u konsideruan si prioritete në strategjinë e mbështetjes në rrethin e Vlorës.

Gjithashtu, propozime pati në drejtim të përmirësimit dhe përshpejtimit të proçedurave për miratimin e Udhëzimit të skemave kombëtare për vitin 2014, në mënyrë që implementimi i skemave mbështetëse të përputhet me afatet kohore të mbjelljes dhe kultivimit të kulturave të ndryshme.