AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Agjencia e Pagesave filloi sot inagurimin e investimeve të realizuara në sektorin e bujqësise përmes skemës “Mbëshetetje 50% të investimit” në qarkun e Fierit. Në të morën pjesë Kryeministri Z. Edi Rama, Drejtoresha e Agjencisë së Pagesave Znj. Suela Popa, Zv. Ministri i Bujqësisë z. Jani Babi, përfaqësues të Driza sh.p.k. etj. Sipas studimit të Universitetit te Harvardit në Shqipëri më shumë se gjysma e zogjve broiler importohen, si pasojë e pamundësisë së prodhimit vendas për të mbuluar tregun Shqipëtar. Ky sektor është vlerësuar si një nga segmentet me avantazh konkurrues për vendin tonë.

Driza sh.p.k., përmes mbështetjes së subvencioneve të programit qeverisës për bujqësinë 2014, ka rritur kapacitetin e prodhimit vendas duke ulur importin dhe rrjedhimisht çmimin në treg për konsumatorin final. Konkretisht financimi nga qeveria shqiptare implementuar përmes Agjencisë së Pagesave, konsiston në ngritjen e 5 kapanoneve për rritjen e zogjve. Funksionet kryesore të këtij investimi janë: sistemi i automatizuar i ushqimit, sistemi i ajrim-ventilimit si dhe sistemi qendror i ngrohjes. Teknologjia e aplikuar në këtë investim është fjala e fundit e inovacionit gjerman në këtë fushë, e cila garanton standartin e Bashkimit Europian me vision dhe potencial zhvillimi në të ardhmen.

Me investimin e ri të impiantit të financuar nga AZHBR, Driza sh.p.k. rrit kapacitetin prodhues deri në 40 %, konkretisht nga 1.500.000 zogj/vit pas financimit 2.200.000 zogj/vit.

Për të mbyllur ciklin e prodhimit te zogjve broiler (zogj për mish), krahas inkubatorit dhe impiantit të  rritjes së zogjve, Driza sh.p.k. do të mbështetet financiarisht nëpërmjet skemave në bujqësi dhe në ndërtimin e “qëndres prindërore”, e cila do të mundësojë prodhimin e vezëve në Shqipëri duke mbyllur kështu ciklin e prodhimit dhe rritjen e vlerës së shtuar në vend.

Partneriteti fermer sipermarrës- shtet mundësoi në një kohë të shkurtër jo vetëm mbështetjen financiare, por dhe pajisjen me leje ndërtimi, e cila ishte kthyer në pengesë serioze për zhvillimin e mëtejshëm të ketij biznesi unik në vend.