AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Në vijim të nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me vendet e rajonit u zhvillua takimi i dy agjencive homologe AZHBR- AVEPA në Padova, Itali.

Në kuadër të qëllimeve strategjike të dy vendeve, të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë, më 13 Nëntor 2014, një ekip i AZHBR-së, i kryesuar nga Drejtoresha e Përgjithshme, Znj. Suela Popa, mori pjesë në takimin e organizuar në AVEPA Itali për firmosjen e marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy agjencive homologe.

Drejtuesit e Agjencive homologe, Znj. Suela Popa, Drejtoresha e Përgjithshme e AZHBR-së të Republikës së Shqipërisë dhe Z. Fabrizio Stella, Drejtor i Përgjithshëm i AVEPA të Venetos Itali, shprehën interesin e tyre të përbashkët për bashkëpunim të ndërsjelltë, shkëmbimin e njohurive dhe përvojës në fushën e shfrytëzimit të fondeve të BE– së për zhvillimin rural, me qëllim të përgatitjes së suksesshme për integrimin në Bashkimin Evropian të AZHBR-së.

Sipas marrëveshjes së firmosur, agjencitë e të dy vendeve do të bashkëpunojnë ngushtë dhe do ta ndihmojnë njëra-tjetrën në proçesin e zhvillimit të strukturave dhe përmirësimit të aktiviteteve në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, me qëllim të përgatitjes më të mirë të sistemit, strukturave institucionale, si dhe njohurive dhe aftësive të të punësuarve për përdorimin e fondeve të EAFRD-së dhe EAGF-së, si dhe implementimin e Politikave të Përbashkëta Bujqësore të Bashkimit Evropian.

Eksperienca e fituar nga AVEPA ndër vite do të jetë një ndihmesë shumë e madhe për zhvillimin e AZHBR lidhur me rritjen e efiçencës së Agjencisë.