AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 


Në kuadër të qëllimeve strategjike të dy vendeve, të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, më 31 Tetor 2014, një ekip i AZHBR i kryesuar nga Drejtoresha e Përgjithshme e AZHBR– së, Znj. Suela Popa, mori pjesë në takimin e organizuar në AZHB-në e Kosovës për firmosjen e marrëveshjes së bashkëpunimit midis dy agjencive homologe.

Drejtuesit e Agjencive homologe, Znj. Suela Popa– Drejtoresha e Përgjithshme e AZHBR-së të Republikës së Shqipërisë dhe Z. Elhami Hajdari– Kryeshef Ekzekutiv i AZHB-së të Kosovës, shprehën interesin e tyre të përbashkët për bashkëpunim të ndërsjelltë, shkëmbimin e njohurive dhe përvojës në fushën e shfrytëzimit të fondeve të para- anëtarësimit të BE– së për zhvillimin rural, me qëllim të përgatitjes së suksesshme për integrimin në Bashkimin Evropian.

Sipas marrëveshjes së firmosur, agjencitë e të dy vendeve do të bashkëpunojnë ngushtë dhe do ta ndihmojnë njëra-tjetrën në proçesin e zhvillimit të strukturave dhe përmirësimit të aktiviteteve në sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural me qëllim të përgatitjes më të mirë të sistemit, strukturave institucionale, si dhe njohurive dhe aftësive të të punësuarve për përdorimin e fondeve të EAFRD-së dhe EAGF-së, si dhe implementimin e Politikave të Përbashkëta Bujqësore të Bashkimit Evropian.

Në takimin e organizuar për firmosjen e marrëveshjes morri pjesë dhe Ministri i Bujqësisë së Kosovës Z. Blerand Stavileci. 

Takime dhe marrëveshje të tilla bashkëpunimi do të vijojnë në ditët në vazhdim edhe me agjenci të tjera të rajonit.