AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Agjencia e Pagesave, ka promovuar sot, ngritjen e një institucioni pagesash të parametrave dhe standarteve Europiane, i cili manaxhon jo vetëm fondet e buxhetit të shtetit, por gjithashtu fondet e BE dhe donatorëve të huaj, në mbështetje të bujqësisë, zhvillimit rural dhe agroturizmit. Aktivitetin e nderuan me pjesëmarrjen e tyre Kryeministri i Shqipërisë, Z. Edi Rama dhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Z. Edmond Panariti. Drejtoresha e Agjencisë së Pagesave (AZHBR) Znj. Suela Popa, theksoi se ngritja e këtij institucioni në përputhje me standartet e BE, garanton edhe njëherë Komisionin Europian mbi gadishmërinë dhe kapacitetet e Shqipërisë për t’u akredituar dhe manaxhuar me përgjegjshmëri dhe profesionalizëm buxhetin IPARD, të alokuar për Bujqësinë Shqiptare.

Progres-Raporti i Bashkimit Europian për Shqipërinë, tetor 2013, identifikonte mungesën e hapësirave të zyrave të AZHBR-së, si faktor bllokues, për proçesin e akreditimit dhe pengesë serioze në përthithjen e fondeve të Bashkimit Europian për bujqësinë.

Pavarësisht funksionit të rëndësishëm të kësaj agjencie për bujqësinë, aktiviteti kryhej në ambjente pa asnjë identitet institucional, ku ishte e pamundur të kryhej normalisht proçesi i manaxhimit, kontrollit apo informimit publik.

Konsideruar si një nga prioritetet e Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, nën kujdesin e veçantë të Ministrit të bujqësisë Z. Edmond Panariti, brenda 3 mujorit të parë të qeverisjes, u bë i mundur sistemimi në ambjente të përshtatshme dhe konsolidimi i institucionit të Agjencisë së Pagesave, në përputhje me standartet e BE.

Gjithashtu, në kuadër të transparencës, informimit dhe shërbimit publik, si dhe shmangies së praktikave korruptive, AZHBR ka ngritur Qendrën e Informimit, e konceptuar si “One stop shop”. Qendra e Informimit, ka si qëllim primar informimin e fermerit dhe grupeve të ndryshme të interesit, mbi mbështetjen financiare që ofrohet nga buxheti i shtetit apo donatorëve të huaj. Kjo qendër synon që në të ardhmen të asistojë fermerët në plotësimin e aplikimeve dhe të orientojë ata të përfitojnë nga këto fonde në përputhje me ciklin e aktivitetit të tyre.

Në ditët në vijim, Agjencia e Pagesave në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe me pjesëmarrjen e veçantë të Kryeministrit, do të kryej në terren firmosjen e kontratave me fermerët përfitues të skemës mbështetje 50% të investimit.