AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave Z. Edmond Panariti, si dhe Drejtoresha e Agjencisë së Pagesave (AZHBR) Znj. Suela Popa, ishin sot në komunën Frakull të Fierit, në një takim me fermerë e agropërpunues, ku Kryeministri shpërndau 100 çertifikata pronësie.

Drejtoresha e Agjencisë të Pagesave (AZHBR) Znj. Suela Popa e hapi fjalimin në këtë takim. Ajo theksoi se me shpërndarjen e titujve të pronësie, po zgjidhet një problematikë shumë e madhe për fermerin, e cila deri më sot i ka penguar ata të përfitojnë nga skemat e mbështetjes për bujqësinë. Më tej Znj.Popa prezantoi skemat mbështetëse financiare për bujqësinë për vitin 2014. Këto skema do të fokusohen në rritjen e investimeve në bujqësi përmes granteve dhe nxitjes së kreditimit bankar, përmes financimit të normës së interesit, me qëllim modernizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Bujqësisë Shqiptare. Në fokus gjithashtu, janë subvencionimi i blegtorisë, i mjaltit, i fidanëve autoktonë dhe për herë të parë mbështetje ofrohet për akuakulturën, si një potencial i pashfrytëzuar deri më sot. Këto skema do të zbatohen duke sjellë konkurrueshmëri, siguri e cilësi ushqimore, inovacion teknologjik, eksport dhe progres ekonomik.

Ministri Panariti, në fjalën e tij u ndal në vizionin e ri për bujqësinë dhe risitë që sjellin këto skema. Ai u shpreh se Qeveria ka vendosur që fondet të shkojnë për ndërtimin e asaj që i mungon më së shumti bujqësisë tonë duke shtuar vlerën në çdo hallkë të zinxhirit nga ferma në tavolinë, këto skema i janë përshtatur më së miri realitetit të bujqësisë sot, duke i shërbyer fermerit, duke bërë të mundur shitjen e prodhimeve të tij nga serat, ku e prodhon dhe duke inkurajuar ta dorëzojë në pikat e grumbullimit dhe të magazinimit.

Kryeministri Z.Edi Rama, ftoi fermerët të bëhen pjesë e skemave të reja të financimit me projekte dhe plane që synojnë zhvillimin e fshatit, si dhe në këtë kuadër përgëzoi znj.Popa, për idetë e reja që ajo sjell në Agjencinë e Pagesave si dhe për punën e bërë që në kohën që ajo drejton këtë institucion.