AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Drejtoresha Agjencia e PagesaveMinistria e Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe Agjencia e Pagesave (AZHBR) në bashkëpunim me Këshillin e Ministrave, organizuan sot konferencën “Nga bujqësia e mbijetesës te bujqësia e zhvillimit”, gjatë të cilës u shpallën skemat e reja mbështetëse, që synojnë të sjellin rimëkëmbje dhe orientim të ri të bujqësisë shqiptare. Në këtë konferencë merrnin pjesë mijëra fermerë nga gjithë Shqipëria.

Drejtoresha e Agjencisë të Pagesave (AZHBR) Znj. Suela Popa prezantoi në detaje skemat mbështetëse financiare për bujqësinë për vitin 2014. Këto skema do të fokusohen në rritjen e investimeve në Bujqësi përmes granteve dhe nxitjes së kreditimit bankar përmes financimit të normës së interesit, me qëllim modernizimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të Bujqësisë Shqiptare. Në fokus gjithashtu, janë subvencionimi i blegtorisë, i mjaltit, i fidanëve autoktonë dhe për herë të parë mbështetje ofrohet për akuakulturën, si një potencial i pashfrytëzuar deri më sot, që përbën dhe ushqimin e së ardhmes. Një tur informues do të nisë në gjithë Shqipërinë nga Agjencia e Pagesave (AZHBR) dhe Ministria e Bujqësisë për të sqaruar fermerët për këto skema.

Ministri Panariti, në fjalën e tij u ndal në vizionin e ri për bujqësinë dhe risitë që sjellin këto skema. Ai u shpreh se Qeveria ka vendosur që fondet të shkojnë për ndërtimin e asaj që i mungon më së shumti bujqësisë tonë, të enëve ku grumbullohet, gatuhet dhe shpërndahet, prodhimi. “Kjo, pasi shërbimi më i madh që mund t’ i bëjmë fermerit, është t’ i tërheqim dhe të blejmë prodhimin e tij nga serat, arat dhe stallat. E këtë do ta bëjmë, duke e ftuar dhe inkurajuar atë, që ta prodhojë dhe ta dorëzojë atë në pikat e grumbullimit dhe te magazinimit. Këtu ne kemi rastin dhe mundësinë e vetme, për të identifikuar dhe regjistruar prodhuesit, duke shndërruar bujqësinë shqiptare nga 90% informale në tërësisht formale. Vetëm këtu, ne kemi rastin dhe mundësinë e vetme për t' i dhënë bujqësisë dhe prodhimit të saj, fizionominë europiane, kemi në dorë mjetin e futjes të saj në binarët e pakthyeshëm të integrimit”, tha z. Panariti. 

Në emër të prodhuesve fjalën e mori z. Dhimitër Kote, një fermer i suksesshëm në Sarandë, i cili ngriti zërin në emër të gjithë fermerëve që sytë të kthehen nga bujqësia dhe kërkoi vëmendjen e shtetit, që në këtë sektor nuk ka më kohë për të humbur.

Në emër të eksportuesve, fjalën e mori z. Ruzhdi Koni, nga kompania "Agro Koni". Z. Koni u shpreh se skemat e reja synojnë pikërisht uljen e kostove dhe shtimin e eksporteve tona jashtë vendit.

Në emër të investitorëve, fjalën e mori z. Ramiz Kelmendi i kompanisë “Elkos”, i cili brenda muajit maj, do ngrejë në Unazën e Lushnjës, pikën më të madhe të grumbullimit për Shqipërinë, që do shërbejë dhe si model suksesi për hapjen e pikave të ngjashme në gjithë vendin.

Për të garantuar sigurinë ushqimore të prodhimeve tona, fjalën e mori nëndrejtori i Institutit të Sigurisë Ushqimore e Veterinare, z. Ardian Xinxo, i cili siguroi fermerët e konsumatorët se ISUV i ka gjithë kapacitetet për të analizuar produktet me origjinë shtazore e bimore, me laboratore tashmë të ngritura e të çertifikuara ndërkombëtarisht për një sërë analizash.

Ministria e Bujqësisë nën moton siguri ushqimore, inovacion teknologjik dhe progres ekonomik, synon të sjellë rimëkëmbjen e këtij sektori prioritar për qeverinë.