AGJENCIA PËR ZHVILLIM BUJQËSOR DHE RURAL 

Agjencia e Pagesave (AZHBR) ka filluar evente informuese për promovimin e skemave të reja mbështetëse për vitin 2014 në qarqet Tiranë e Durrës.

Me datë 18.04.2014:

  • Në orën 1000 në ambjentet e Biblotekës së Qytetit të Fush-Krujës u zhvillua takimi i parë informues mbi skemat mbështetëse për bujqësinë dhe zhvillimin rural.
  • Në orën 1300 në Maminas/ Durrës u zhvillua takimi i dytë.
  • Në orën 1600 u zhvillua takimi i tretë në Zyrën rajonale të bujqësisë së rrethit Kavajë.

Në këto takime promovuese morën pjesë Drejtuesit e drejtorive të bujqësisë për qarkun e Durrësit/ Tiranës, përfaqësues të këshillit të qarkut, punonjës të drejtorisë së bujqësisë, fermer, agro-përpunues etj.

Skemat mbështetëse u prezantuan nga përfaqësuesit e AZHBR Z. Agim Pepkolaj, dhe në fund të takimit u dhanë përgjigje nga Z. Bedri Muçmata dhe Znj. Anisa Duka.

Pjesmarrësit u informuan mbi kriteret minimale dhe maksimale të përfitimit, shumat dhe përqindjet që mbështeten për çdo skemë, grupet e avantazhuara, dhe dokumentacioni specifik për çdo skemë.

Takimet kishin pjesmarrje dhe interes mjaft të lartë të grupeve të ndryshme interesi në fusha të ndryshme si: vreshtari, frutikulturë, blegtori, bletërritës dhe prodhues/ përpunues të ndryshëm të frutave dhe perimeve.

Gjatë takimeve, grupet e interesit u informuan dhe për VKM Nr.199, datë 2.4.2014 dhe Udhëzimin Nr.2, datë 25.2.2014 për lehtësimin e marrjes së lejeve të ndërtimit për aktivitetin bujqësor, informacion i cili u prit me interes nga pjesmarrësit në takime.

Referuar skemave të reja të prezantuara, grupe të ndryshme interesi bënë pyetje në fund të takimeve rreth pikave që ata kishin të pa qarta dhe morën përgjigjet nga paneli drejtues. Gjatë takimit u vu theksi tek fondet e akorduara në këtë vit, që krahasuar me vitet e shkuara ka patur një rritje të konsiderueshme, gjë e cila do të ndihmojë sektorin bujqësor për të rritur kapacitetet e tyre dhe për të qënë konkurent në treg, gjithashtu me prespektivë drejt programeve të IPARD.

Në ditët në vazhdim do të organizohen evente informuese në të gjitha qarqet e Shqipërisë.