Hapet thirrja e II – “Masa për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Pyjeve”

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Projekti i Shërbimeve Mjedisore hapën thirrjen e II-të për grante konkuruese për “Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Pyjeve”, mbështetur financiarisht nga Banka Botërore dhe Qeveria Suedeze. Përfituesit potencialë në këtë projekt janë Shoqatat e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave dhe individë fermerë.

Në kuadër të fushatës së informimit, një ekip i përbashkët i AZHBR dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit/Projekti i Shërbimeve Mjedisore kanë organizuar disa takime me Shoqatat e Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave dhe individë fermerë, në lidhje me kriteret e përfitimit, procedurat e detajuara për zbatimin e kësaj mase me sukses.

Fushata e informimit ka përfshirë disa bashki në vend: Tiranë, Elbasan, Pogradec, Ersekë, Korçë, Lezhë, Krujë, Berat, Malësi e Madhe, Gjirokastër, Kukës, Pukë, Vlorë, Mat dhe Dibër.

“Masa për Zhvillimin dhe Mbrojtjen e Pyjeve” është një masë e re, e cila po zbatohet sipas procedurave IPARD-Like, duke pasur si qëllim realizimin e investimeve, ngritjen e kapaciteteve të Shoqatave të Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave dhe fermerëve të tjerë privatë, por edhe rritjen e ndërgjegjësimit të tyre për mundësinë e thithjes së fondeve edhe përtej jetës së projektit.

Në dallim nga thirrja e parë, do të ketë një alokim të buxhetit në dispozicion për këtë thirrje, ku 70% e fondit do të shkojë në favor të aktiviteteve të pyllëzimit për të qenë në koherencë me vizionin e qeverisë për të shtuar sipërfaqe të gjelbra, dhe 30% e fondit për aktivitete si: masat parandaluese ndaj fenomeneve të erozionit, lera uji për bagëtinë, etj. Aplikantët që propozojnë aktivitete pyllëzimi do të kenë më shumë mundësi të shpallen fitues, sepse shihet si një aktivitet favorizues dhe i rendit këta aplikantë në pozita shumë të favorshme.

Thirrja e II-të për grantet konkuruese është shpallur më 20 Korrik, dhe afati i fundit i pranimit të aplikimeve ishte data 10 Shtator, e cila është shtyrë deri në 24 Shtator 2018. Projekt – propozimet do të dorëzohen pranë zyrave qendrore të AZHBR-së.