AZHBR vlerëson me mirënjohje studentët e UBT për promovimin e Masave Mbështetëse Kombëtare 2018

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ftoi në një takim studentët që u trajnuan për Skemat Kombëtare Mbështetëse, viti 2018, të përfshirë në fushatën e promovimit për subvencionet nga buxhetit i shtetit. Rreth 200 studentë të Universitetit Bujqësor Tiranë ndihmuan dhe këshilluan fermerët dhe menaxherët e fermave në proçesin e aplikimeve, mbi teknikat për përmirësimin e prodhimit të të mbjellave dhe kafshëve, si dhe mundësitë alternative të bujqësisë. Në kuadrin e gjithpërfshirjes, aktiviteti i organizuar më dt 5 Qershor, në një fermë në Fushë-Krujë, me praninë  e Drejtores së Përgjithshme AZHBR, Frida Krifca, Zv. Rektorit të UBT, Remzi Keco, dhe Dekanit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, Fatbardh Sallaku, synoi të nxisë studentët të kontribuojnë në sektorin e bujqësisë, në lidhje me përthithjen e fondeve të buxhetit të shtetit dhe donatorëve të huaj.

Në fjalën e saj, Drejtore e Përgjithshme e AZHBR, Znj. Frida Krifca, nënvizoi planin ambicioz të Qeverisë për rritje të kapaciteteve dhe përfshirje të të rinjve studentë në përgatitjen e kapaciteteve përthithëse për fondet në dispozicion të fermerëve shqiptarë. “Bashkëpunimi i AZHBR me UBT, erdhi si qasje në krijimin e mundësive dhe praktikave më të mira mësimore, dhe u vu re që kontributi juaj në Skemat Kombëtare Mbështetëse, Viti 2018 ishte pozitiv, pasi ky vit shënon rritje me 30%  të numrit të aplikimeve, krahasuar me vitin 2017″. Më tej, Znj. Krifca shtoi se sektori i bujqësisë është një nga prioritetet kryesore të Qeverisë për të garantuar cilësi dhe siguri në produktet shqiptare sipas standarteve të Bashkimit Evropian. “Fondi i bashkëfinancuar nga Qeveria Shqiptare dhe BE është 93 milionë Euro dhe ka si objektiv përthithjen në maksimum nga fermerët shqiptarë. Gjatë fazës së aplikimeve është vënë re se aplikantët, edhe pse kanë përdorur konsulentë biznesi apo ekonomistë, kanë ende nevojë për aftësi në përpilimin e dokumentave. Për të pasur efektivitet, kërkohet ura lidhëse përmes jush si agjentë të së nesërmes, për të përthithur fondet 100%”, u shpreh Drejtore e Përgjithshme e AZHBR, Frida Krifca.

Në përfundim të fjalës së saj, Znj. Krifca tha se AZHBR mirëpret dhe është e hapur për të gjithë studentët e fushës në iniciativa dhe fushata të tjera promovimi.

Dekani i Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit, Z. Fatbardh Sallaku, falenderoi për përkushtimin dhe punën profesionale të stafit të AZHBR, dhe u shpreh se ky bashkëpunim i UBT me AZHBR tregon se Qeveria i konsideron ata partner të rëndësishëm në iniciativat e ndërmarra, duke shprehur gatishmërinë për kontribute në vazhdimësi. Aktiviteti vazhdoi me dhënien e Certifikatave simbolike të Vlerësimit për studentët e UBT. Dy studentët Kevin dhe Mario, të angazhuar në AZHBR, në një program internshipi, treguan për experiencat e tyre gjatë takimeve me fermerët dhe rritjen e besueshmërisë tek ata për masat mbështetëse kombëtare. Studentët shprehën interes edhe për programe të tjera, që kanë të bëjnë me zhvillim bujqësor dhe rural në vend.