AZHBR pjesëmarrëse për herë të parë në konferencën e 44-t të Drejtorëve të Agjencive të Pagesave

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural mori pjesë në “Konferencën e 44-t, të Drejtorëve të Agjencive të Pagesave të BE-së, organizuar në Andau, nën presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian në Austri.

Shqipëria përfaqësohej në këtë konferencë nga Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural Zj. Frida Krifca, ku ishin të ftuar 35 vende anëtare të BE-së, përfaqësues të Gjykatës Evropiane të Auditorëve dhe përfaqësues të Komisionit Evropian.

Në konferencën, e mbajtur nga datat 01 deri në 03 Tetor 2018, u zhvilluan takime të homologëve të shteteve anëtare, u prezantuan raporte në kuadër të konferencës së mëparshme, dhe reflektime mbi të Ardhmen e Politikave të Përbashkëta Bujqësore, Administrimin dhe Sistemin e Kontrollit, etj. Si dhe u organizuan tre workshope me tematika si:

  • Raporti i performancës: Më shumë të dhëna, më shumë kontrolle, më shumë siguri
  • Kushtëzimi
  • Monitorimi

AZHBR ftohet në këtë konferencë për herë të parë, për të treguar hapat e rëndësishme që Agjencia ndjek drejt rritjes profesionale, ngritjes së strukturës të standartizuar dhe sistemeve të sigurta të kontrollit, bazuar në rregulat e BE-së. Si dhe rolin e saj proaktiv për përthithjen e fondeve me objektiv zhvillimin bujqësor dhe rural në Shqipëri.