AZHBR nis fushatën informuese për grantet e pyjeve, financuar nga Banka Botërore dhe Qeveria Suedeze

Kalendari i Fushatës Informuese _Grante për Zhvillimin dhe Mbrotjen e Pyjeve

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) në bashkëpunim me Projektin e Shërbimeve Mjedisore nisën fushatën informuese për thirrjen e dytë të komponentit të granteve konkurruese për “Masën e Zhvillimit dhe Mbrojtjen e Pyjeve”,mbështetur nga Banka Botërore dhe Qeveria Suedeze. Aktiviteti i organizuar më 20 Qershor 2018, në ambientet e Universitetit Bujqësor Tiranë kishte si qëllim informimin e Shoqatave të Përdoruesve të Pyjeve dhe Kullotave, individë fermerë dhe ekspertë të fushës për projektin e granteve në rivendosje, mbrojtje dhe përmirësim i ekosistemeve malore, duke zhvilluar bujqësinë dhe pylltarinë.

Në fjalën e tij, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi theksoi se projekti kontribuon në realizimin e objektivit për mbjelljen e 20 milionë e 200 mijë pemë deri në vitin 2020. “Ne kemi 18% zona të mbrojtura që teorikisht janë në masën më të madhe pyje. Kam frikë të them që në këtë kohë që jam në drejtim të kësaj ministrie të gjej politika të pastra sesi shndërrohen pyjet në një mekanizëm ekonomik për qytetarët”, u shpreh Ministri Klosi. Duke shtuar që brenda projektit që po lancohet, pjesa e fondeve që është për implementimin në terren, të krijojë mundësinë e modeleve të suksesshme.

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, theksoi rëndësinë e këtij granti të dytë për shërbimet mjedisore, duke thënë se mjedisi dhe bujqësia kanë shumë pika takimi dhe se projekte të tilla janë mundësi të mira për fermerët.  “Skemat tona mbështetëse kanë kontribuar përmes shtimit me 500.000 pemë frutore në trupin e Shqipërisë, kjo do të thotë që është e rëndësishme ta shohim pyllëzimin jo vetëm si dekoracion, por edhe si kontributor për një jetë të shëndetshme. Projekti i mbështetur nga Banka Botërore dhe qeveria suedeze, përpos vlerës së alokuar, mijëra familje fermere përfituese, dhe mijëra qytetarë të tjerë që përfitojnë nga përmirësimi i pyjeve, kullotave, kufizimi i erozionit, përmirësimi i ekosistemeve malore, ka një të mirë tjetër, pasi është projektuar bazuar në përfshirjen e kontributin e aktorëve lokalë”, u shpreh Ministri Peleshi.

E pranishme në takim, drejtuese e Bankës Botërore në Shqipëri, Maryam Salim, u shpreh se BB mbështet me këtë thirrje të gjithë Shoqatat e Përdoruesve të Pyjeve dhe individët fermerë. Ajo theksoi që Projekti i Shërbimeve Mjedisore me Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit dhe sektorin e pyjeve, me mbështetjen e Bankës Botërore, do të realizojnë edhe inventarizimin e pyjeve për të shkuar më tej edhe në një projekt tjetër për sistemin e numërimit të pemëve. “Kam qenë pjesë e disa punime ne terren gjatë thirrjes së parë, në Petran dhe Ulëz, ku burra dhe gra kanë kontribuar për aktivitetet në përmirësim pyjesh dhe kullota, duke kryer një volum të konsiderueshëm pune, dhe për këtë e vlerësoj punën e bërë në komunitet”, tha Drejtore e BB në Shqipëri.

Drejtore e Përgjithshme e AZHBR, Zj. Frida Krifca, falenderoi pjesëmarrësit për këtë takim të rëndësishëm, që u jep mundësinë të gjithëve për kontributin e tyre në zhvillimin dhe mbrojtjen e pyjeve. “Mbështetja financiare nuk ka munguar dhe vlej të theksoj rëndësinë që i jep këtij projekti BB dhe qeveria suedeze, nëpërmjet zgjidhjeve relevante, në ndihmë të masave për zbutjen e riskut në projekt, si dhe qeveria shqiptare në hartimin e politikave bindëse dhe transparente”, u shpreh Drejtore e AZHBR, Zj. Krifca. Më tej ajo përmendi rezultatet e thirrjes së parë, 2016, që konkluduan me lidhjen e 63 kontratave në vlerën e 1, 7 Mln Euro, dhe punësimin dhe angazhimin nëpërmjet projektit të 1500 familjeve dhe komunitetit në tërësi. Fondet e alokuara janë dhënë për Përmirësim Pyje, Përmirësim Kullote, Ndërtim lera uji, Ndërtim prita malore, mbjellje fidane pyjore etj, duke përfshirë qarqet Dibër, Korçë, Elbasan, Gjirokastër, Kukës, Lezhë, Shkodër dhe Tiranë.

Drejtore e Programeve të Zhvillimit të Mjedisit, njëkohësisht drejtore e Projektit të Shërbimeve Mjedisore, Zj. Klodiana Marika bëri një përmbledhje të punës së Projektit të Shërbimeve Mjedisore dhe aktiviteteve kyce që janë në zbatim. Zj. Marika theksoi se Projekti i Shërbimeve Mjedisore ka shumë aktivitete dhe shumë përfitues, një numër insitucionesh të përfshira në projekt, cfarë e bën pak të ndërlikuar zbatueshmërinë e tij. Ministria e Turizmit të Mjedisit ka bashkëpunuar dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjithë aktorët e projektit për ta zbatuar me sukses atë.

Thirrja e dytë përfshin 70% të fondit prej 2.3 milionë euro që shkon në favor të pyllëzimit dhe 30% e fondit për aktivitete si masat parandaluese ndaj fenomeneve të erozionit, lera uji për bagëtinë, etj. Projekti mbështetet financiarisht nga Banka Botërore dhe qeveria suedeze, zbatuar nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) nën drejtimin e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.