AZHBR në Konferencën e 45 të Drejtorëve të Agjencive të Pagesave të BE

Drejtore e AZHBR, Frida Krifca, merr pjesë në Konferencën e 45-të të Drejtorëve të Agjencive të Pagesave të Bashkimit Europian organizuar nga Presidenca Rumune e Këshillit të Bashkimit Europian në Bukuresht. Kjo konferencë dyditore zhvillohet dy herë në vit, organizuar nga vendet që kryesojnë presidencën e Këshillit të BE. AZHBR tashmë e akredituar për të implementuar programin IPARD, merr pjesë në këtë konferencë për herë të dytë.

Dita e parë e punimeve të konferencës u fokusua në përdorimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore, menaxhimin efektiv të Politikës së Përbashkët të Bujqësisë (CAP), rolin kyç që kanë Agjencitë e Pagesave në implementimin e CAP, dhe ndikimin që puna e tyre ka në krijimin e CAP të ri që do të fillojë pas vitit 2020.  Vemendje e posaçme u vu në nevojën për njohuri të reja në bujqësi dhe zhvillim rural, dixhitalizim, përforcimin e procedurave, përsa i takon konfliktit të interesit dhe nevojën për performancë të vazhdueshme në përputhshmërinë e procedurave për alokimin e fondeve, si dhe monitorimin e vazhdueshëm për uljen e rrezikut të gabimeve në implementim. 

Në ditën e dytë, fokusi ishte përdorimi i aplikimeve gjeo-satelitore për administrimin e kontrolleve paraprake, duke përdorur Sistemin e Identifikimit të Parcelave të Tokës (LPIS). Impakti i Zhvillimit Rural në kontekstin Europian, përdorimin e teknologjive të reja për monitorimin efektiv si dhe dobia e bashkëpunimit ndërinstitucional për të parandaluar mashtrimin.