AZHBR në Forumin e Politikave Bujqësore për zhvillimin rural në Evropën Juglindore

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ka marrë pjesë aktive në Forumin e Politikave Bujqësore, i cili po mbahet në Ohër, në Maqedoninë e Veriut, më 9 dhe 10 Tetor. “Agricultural Policy Forum (APF) 2019”, këtë vit ka në fokus “Kontributin e Diversifikimit të Aktiviteteve Ekonomike në Zhvillimin e Qëndrueshëm Rural në Evropën Juglindore”,  bashkëpunimin si një platformë e gjerë rajonale për ndërveprim dhe rekomandime mbi çështjet e politikave rajonale në bujqësi dhe zhvillim rural në Evropën Juglindore. Forumi i Politikave Bujqësore organizohet nga Grupi i Përhershëm Rajonal i Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë Ujore të Maqedonisë së Veriut.

Në interes të veçantë për AZHBR u trajtuan arritjet dhe ndikimi i programit IPARD në Ballkanin Perëndimor, përsa i takon rolit të Turizmit Rural, dhe diversifikimit të aktiviteteve ekonomike në zonat rurale. Më tej nga të pranishmit u theksua potenciali që kanë këto rajone për zhvillimin e ekonomisë lokale, të udhëhequr nga komuniteti dhe ngritjen e kapaciteteve hulumtuese për zhvillimin e qëndrueshëm bujqësor dhe rural në rajonin perëndimor.