AZHBR në “Ditën e Evropës”, mundësitë evropiane për bujqësinë shqiptare

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga Bashkimi Evropian, në Ditën e Evropës, 9 maj, në sheshin Skënderbej, Tiranë. Në emrin “Fshati i BE- së” (“EU Village”), Delegacioni i BE-së në Shqipëri dhe shtetet anëtare zhvilluan një sërë aktivitetesh, që nisën rreth orëve të para të mëngjesit dhe vazhduan deri në mbrëmje. AZHBR, e pranishme në këtë aktivitet me stendën e saj në sloganin “Zhvillimi ekonomik dhe bujqësor në Shqipëri”, pati mundësinë të fliste me qytetarët rreth skemave mbështetëse të BE-së, si dhe mundësitë e përfitimit të fondeve të BE-së për bujqësinë shqiptare, në prag të thirrjes së programit IPARD II.

Në këndin e folësve të programit “Fshati BE”, Drejtor i Politikave të Zhvillimit Rural dhe Drejtues i Autoritetit Menaxhues në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Grigor Gjeçi deklaroi se “Injektimi, që do të bëhet në sektorin bujqësor dhe për zhvillimin në zonat rurale për periudhën e fondeve 2016 – 2020, kap shifrën 94 milionë Euro, do të zbatohet në mënyrë të decentralizuar”. Masat që do të mbështeten do të jenë: Masa 1. Investime në fermë, në sektorët e qumështit, mishit, fruta-perimeve dhe vreshtarisë, Masa 3. Investime në sektorin e agropërpunimit të produkteve bujqësore që janë në sektorin e qumështit, mishit, fruta-perimeve dhe verërave, si dhe Masa 7. Investime në diversifikimin e ekonomisë, të çdo lloji aktiviteti jashtë bujqësor në zonat rurale, që kanë për qëllim shfrytëzimin e burimeve natyrore në vendin tonë. Z. Gjeçi theksoi se fondet do të alokohen sipas kritereve të vendosura dhe respektimit të ligjit, dhe është shumë thelbësore që agrobizneset të aplikojnë sipas kritereve të duhura ligjore.

Në fjalën e tij, Mirgen Dobruna Drejtor i Drejtorisë së Përzgjedhjes dhe Aprovimit të Projekteve, në Agjencinë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, u shpreh se kjo agjenci shërben si urë komunikimi, ku të gjithë të interesuarit mund të marrin informacionin e duhur në momentin e hapjes së thirrjeve përkatëse dhe të plotësojnë dokumentacionet e kërkuara. “Proçesi do të jetë shumë transparent dhe i kujdesshëm, AZHBR garanton se fondet do të shkojnë tek ata fermerë që kanë një plan biznesi të mirëmenduar dhe dokumentacion të plotë sipas kritereve ligjore për zhvillimin e bujqësisë dhe zonave rurale, duke u përafruar standarteve evropiane.

Fermerë të ftuar në këtë aktivitet, përfitues të skemave mbështetëse nga BE, thanë se në këtë proçes ka rëndësi përgatitja e dokumentacionit të duhur, krijimi i një plani biznesi të mirëmenduar, që çon në rritjen e kapaciteteve vepruese. “Afro katër vite më parë, para se të nisnim bashkëpunimin me AZHBR-në kishim fuqi punëtore prej 45 vetash, sot i kemi trefishuar ato, dhe kemi projekte të reja për të realizuar në të ardhmen me fondet IPARD”, u shpreh Vasip Kazazi. Ai shtoi se pas një periudhe 6-mujore arriti të rimerrte gjysmën e investimit nga skemat mbështetëse të BE-së.

Së shpejti, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, do të hapë thirrjet e para në kuadër të programit për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, programi IPARD II, bashkëfinancim me fonde nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Shqiptare.