AZHBR në Agro -Tech, ura lidhëse për zhvillimin e agrobiznesit

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural ishte pjesëmarrëse për të dytin vit radhazi në panairin “Agro – Tech Expo & Forum 2019”, organizuar nga datat 15 – 16 Mars, në ambientet e Expocity Albania, në Tiranë. Në këtë edicion të dytë të panairit ndërkombëtar, si një ndër aktivitetet më të rëndësishme të sektorit bujqësor dhe agrobiznesit, AZHBR takoi nga afër subjektet përfituese nga skema kombëtare 2018, fermerë dhe agropërpunues, të cilët shfaqën interes të lartë për fondet shterërore dhe BE në mbështetje të sektorit.

Në ceremoninë e hapjes ishin të ftuar Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Bledi Çuçi, Ministër Shteti për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj,  Drejtorja e Përgjithshme e AZHBR, Frida Krifca, përfaqësues të agrobiznesit shqiptarë, fermerë të vegjël, studentë nga Universiteti Bujqësor Tiranë, akademikë, studiues etj.

Në fjalën përshëndetëse Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi, u shpreh se panairi “Agro-Tech Expo-Forum 2019” shërben si hapësirë unike për fermerët shqiptarë, forumi ku përmes takimeve B2B prezantohen mundësitë më të mira për zhvillimin e agrobiznesit.

Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi, u shpreh se: “Në bashkëpunim me ministrin Çuçi dhe Drejtoren e AZHBR jemi të angazhuar për të mbështetur sektorin financiarisht përmes subvencioneve dhe granteve”. Më tej, ministri Shalsi foli për vëmendjen e kushtuar nga qeveria për impaktin që do kenë masat fiskale të ndërrmarra kohët e fundit në sektor.

Kryebashkiaku Veliaj gjatë fjalës së tij në panair dha lajmin e mirë, për qytetarët e Tiranës, të cilët i shërbejnë zhvillimit të biznesit, si edhe shitjes së produkteve të bujqësisë dhe të agrikulturës, për miratimin e një zonë të lirë ekonomike në Kashar,  si dhe krijimin e një tregu të dytë shumice për produktet bujqësore në zonën e Lundrës. “Hapja e një tregu të dytë, së pari do ta bënte të gjithë këtë treg me dy konkurrues dhe sigurisht konkurrenca do të sillte çmime më të ulëta për ata që aksesojnë tregun”, shtoi Veliaj.

Panairi, në ditën e dytë të tij dt 16 mars, zhvilloi konferencën “Global G.A.P Stop Tour” dhe workshope për perspektivën e certifikimit të produkteve “Made in Albania” dhe garantimin e cilësisë së tyre. “Agro-Tech Expo & Forum 2019” u ofron përfaqësuesve të agrobiznesit shqiptar dhe të huaj mundësinë e promovimit të produkteve të tyre, si dhe krijon ura lidhëse, përmes inkurajimit të bashkëpunimit në rajonin e Ballkanit.