AZHBR dhe Autoriteti Menaxhues takim me Drejtorinë e Përgjithshme të Bujqësisë në Bruksel për akreditimin e masës së asistencës teknike

Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural mori pjesë në një takim të përbashkët me përfaqësuesit e Autoriteteve Menaxhuese dhe Agjencive IPARD të rajonit, për të nisur negociatat për akreditimin e masës së asistencës teknike. Në takimin e organizuar nga DG AGRI në Bruksel në datën 14 dhjetor 2018, Agjencia IPARD në Shqipëri përfaqësohej nga Drejtore e Përgjithshme e AZHBR-së zj.Frida Krifca bashkë me stafin teknik. Ky takim kishte si qëllim parësor nxitjen e akreditimit të AZHBR-së për Masën e Asistencës Teknike, diskutimin e sfidave dhe problemeve të përbashkëta për ofrimin e shpjegimeve dhe zgjidhjeve.

Masa e Asistencës Teknike është pjesë e Programit IPARD 2014-2020, me vlerë financiare prej 2.47 Mln Euro, nga të cilat përqindja e kontributit të BE-së 85 % të mbështetjes publike dhe 15 % nga kontributi i buxhetit të shtetit. Përqindja e mbështetjes së grantit është 100% të shpenzimeve të pranueshme.

Kjo masë financimi mbështet dhënien e ndihmës për zbatimin dhe monitorimin e programit IPARD, si dhe ndryshimeve pasuese të mundshme të tij. Për arritjen e këtij qëllimi, brenda objektivave të kësaj mase përfshihen:

  • Dhënia e mbështetjes për monitorimin e programit;
  • Garantimi i dhënies së informacionit dhe publicitetit;
  • Mbështetja e studimeve, vizitave dhe seminareve;
  • Dhënia e mbështetjes për ekspertizë të jashtme;
  • Dhënia e mbështetjes për vlerësimin e programit;
  • Dhënia e mbështetjes për vënien në funksionim në të ardhmen të rrjetit kombëtar të zhvillimit rural.

AZHBR, e akredituar nga Bashkimi Europian si Agjencia IPARD në Shqipëri është në fazën e zbatimit të thirrjes së parë për programin IPARD, e cila është e hapur për të gjithë fermerët dhe agro-përpunuesit deri në datën 30 Janar 2019.