AZHBR afron fermerët në stendën e saj në “Agro -Tech 2018”

Kreu i Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, Zj. Frida Krifca, ishte e pranishme në inaugurimin e ekspozitës “Agro-Tech Expo & Conference 2018”, panairi i parë ndërkombëtar për sektorët e agrobiznesit dhe agroteknikës në Shqipëri, që zhvillohet nga data 27 – 29, Prill, 2018. Të pranishëm në këtë panair ishin, Zv. Ministrat e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Z. Dhimitër Kote dhe Z. Ilir Halilaj, përfaqësues të sektorit bujqësor, studentë dhe akademikë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, etj.

Gjatë ceremonisë së hapjes, Zv. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Z. Dhimitër Kote, u shpreh se është krenar për arritjet në sektorin bujqësor dhe për produktet vendase që konkurojnë denjësisht në panairet ndërkombëtare. Gjatë fjalës, Zv, Ministri u bëri thirrje fermerëve dhe agro-përpunuesve të çertifikojnë prodhimet bujqësore dhe blegtorale, si nevojë e tregut për të arritur përmbushjen e standarteve kombëtare dhe përafrimin e tyre me standartet e BE-së.

Në fjalën e saj të hapjes, Drejtore e Përgjithshme e AZHBR-së, Zj. Frida Krifca, tha se ndjehet mirë kur shikon të rinj që i afrohen kësaj ekspozite për të qenë promotor në zhvillimin bujqësor të vendit dhe u bëri thirrje fermerëve dhe të rinjve të marrin informacionin e duhur rreth aksesit në financë, programit të mbështetjes së bujqësisë të Qeverisë Shqiptare, si dhe Programit për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural – IPARD II, mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Viti 2018, përfaqëson vitin që ka pasur mbështetjen më të madhe financiare në sektorin bujqësor, përmes granteve dhe skemave kombëtare si dhe donatorëve të huaj, për fermerët dhe fermat, duke siguruar prodhim të qëndrueshëm dhe garantuar cilësi ushqimore, për zhvillimin e një sektori agro-ushqimor konkurues dhe inovativ, në funksion të rritjes së eksporteve të produkteve me synim përmirësimin e raportit import-export. Rezultatet e mbështetjes do të shihen brenda vitit.

Gjatë vizitave nëpër stendat e panairit, Drejtore e Përgjithshme e AZHBR-së, Zj. Frida Krifca takoi përfaqësues të sektorit bujqësor dhe agroteknik në Shqipëri dhe rajon dhe diskutoi me ta problematikat e bujqësisë, mënyrat e financimit, projektet ambicioze të AZHBR-së, etj.

Në kuadër të Programit IPARD II, Drejtore e Përgjithshme e AZHBR-së, tha se së shpejti pritet të celet thirrja e parë, që mbështet fermerin në 3 masa mbështetëse financimi: Masa 1. Investime në ferma bujqësore (sektori prodhim qumështi, mishi, fruta-perimeve, vreshtari), Masa 3. Investime në aktive fizike për përpunimin dhe tregtimin e produkteve bujqësore (grumbullimi dhe ruajtja e qumështit, përpunimi i qumështit, thertoret, stabilimentet e përpunimit të mishit, sektori i përpunimit të fruta-perimeve, sektori i verës), Masa 7. Diversifikimi i fermave dhe zhvillimit të biznesit.