Apel për fermerët: Çfarë duhet të kenë parasysh për aplikimet

Nga data 28 shkurt deri më 28 mars 2018, fermerët dhe agrobiznesi do të aplikojnë për të përfituar financim të drejtëpërdrejtë nga subvencionet e qeverisë për bujqësinë.

Fond i planifikuar në paketën e mbështetjes për vitin 2018 është 2,6 miliardë lekë, që do të jepen si mbështetje për fermerët, agro-përpunuesit, rritjen e eksporteve, çeljen e tregjeve të reja dhe rritjen e të ardhurave për zonat rurale.

Drejtoresha e Përgjithshme, e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural, (AZHBR) Frida Krifca tha në një intervistë për ATSH-në, se ” AZHBR-ja është gati të presë aplikimet e fermerëve në të gjithë vendin, për të përfituar nga skemat e mbështetjes. Aplikimet nisin me datën 28 shkurt e do të vazhdojnë deri më 28 mars 2018. Pra thirrja është e hapur për të gjithë fermerët, gjatë një muaji për 52 skemat e mbështetjes”.

Krifca shpjegon se, krahasuar me vitet e mëparshme, risia e këtij viti është aplikimi me 0 dokumente e fermerëve për të përfituar nga skemat e mbështetjes.

“Ne presim një prurje më të madhe të aplikimeve të fermerëve, për të përfituar mbështetje financiare në zhvillimin e aktivitetit të tyre bujqësor, blegtoral dhe agrobiznes, nisur kjo nga fakti i lehtësimit drastik të aplikimit dhe objektivit të qeverisë për mbështetjen e fermerëve në zhvillimin e bujqësisë. Krahasuar me vitin 2017, ku numri i aplikantëve shënoi 4900, ky vit parashikojmë ta zgjerojë gamën e aplikimeve në 10 deri 12 mijë fermerë”, tha drejtoresha e AZHBR-së.

Krifca shpjegoi se si duhet të veprojnë fermerët për të aplikuar në skemat e mbështetjes dhe mënyrën e funksionimit të këtij procesi.

Eshtë e rëndësishme theksoi ajo, që fermerët aplikojmë për herë të parë këtë vit me 0 dokumente për 30 masa ose skema të mbështetjes, nga 52 masa të ndryshme që parashikon vendimi i qeverisë për mbështjen e bujqësisë 2018.

“Kjo do të thotë se do të jenë specialistët e AZHBR-së, ata të cilët do të kryejnë të gjitha verifikimet administrative të dokumentacionit për pronësinë, pagesën e taksave etj, dhe aplikantët fermerë vetëm me mjetin e identifikimit (ID) të tyre dhe me një numër NIPTI, kryejnë aplikimin për skemën që dëshirojnë të përfitojnë financim në veprimtarinë bujqësore që do të ndërmarrin”, u shpreh Krifca.

Kfica thekson se, fermerët vetëm me një kartë identiteti dhe me një numër NIPTI aplikimi është kryet duke përdorur 0 dokumente. Fermerët duhet të jenë detyrimisht të regjistruar me një numër NIPTI për të aplikuar në skemat e mbështetjes, tha ajo.

Ky vit do të shërbejë edhe për krijimin e një regjistri databaze të fermerëve.

“Fermerët do të regjistrojnë të gjitha të dhënat e tyre që ata disponojnë, p.sh. sipërfaqen e tokës që kanë në pronësi, sasinë e prodhim bujqësor, numrin e blegtorisë që disponojnë etj. Ky regjistër ferme , do të na shërbejë neve për të bërë të gjitha parashikimet tona në mënyrë më aktuale dhe transparente të të zhvillimeve reale që ka sektori, për të adresuar mbështetjen e duhur”, deklaroi Krifca.